Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” do të jetë pjesë e projektit ndërkombëtar të mbështetur nga BE, ADRISMART, i cili synon mbrojtjen e biodiversitetit detar në Detin Adriatik përmes marikulturës inovative dhe përdorimit të inteligjencës artificiale. Projekti përbën një hap të rëndësishëm drejt një menaxhimi më të zgjuar dhe të qëndrueshëm të burimeve detare, në një rajon që përballet me sfida serioze mjedisore.
“Ky projekt është një shembull konkret se si universitetet, institucionet kërkimore, autoritetet publike dhe aktorët e interesit mund të bashkëpunojnë për të adresuar sfida të përbashkëta, si mbishfrytëzimi i rezervave të peshkut, duke i transformuar ato përmes përdorimit të mjeteve të inteligjencës artificiale. Ai përputhet plotësisht me misionin institucional të universitetit tonë për të mbështetur ekselencën në kërkimin shkencor”, tha Tonin Gjuraj, rektor i Universitetit “Luigj Gurakuqi”.
Përveç Shqipërisë, një tjetër sit pilot do të jetë pranë brigjeve të Leçes në Itali, të cilët do të shkëmbejnë dhe japin informacion në kohë reale.
“Janë krijuar dy site pilot identike në Itali dhe Shqipëri, me sensorë dhe sisteme monitorimi në kohë reale, që mbledhin dhe harmonizojnë të dhëna mjedisore dhe për mirëqenien e peshqve. Këto të dhëna do të përdoren për modele parashikuese me inteligjencë artificiale, me qëllim optimizimin e praktikave prodhuese dhe uljen e presionit mbi popullatat natyrore të peshkut”, tha Elisabetta Bonerba, pedagoge e Universitetit të Barit.
Projekti ADRISMART bashkon partnerë nga Italia, Shqipëria dhe Mali i Zi, me synimin për të adresuar sfidat serioze me të cilat po përballen ekosistemet detare të Adriatikut, si peshkimi i tepërt, ndotja dhe ndikimet e ndryshimeve klimatike, duke synuar zgjidhje afatgjata dhe të qëndrueshme për mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin rajonal. (A2 Televizion)