Projekti për hyrjen e re të Shkodrës, pronarët kundërshtojnë shembjen e objekteve

Nga A2 CNN
13 Mars 2025, 17:15 | Aktualitet

Shembja e disa ndërtimeve në Shkodër për t’i hapur rrugë projektit të hyrjes së qytetit është kundërshtuar nga disa prej pronarëve të këtyre objekteve.

Fabion Murrizi, avokat mbrojtës i pronarit të një prej bizneseve, Muarrem Shkjaut thotë se IKMT është duke vepruar me një vendim të paligjshëm ndërsa prishja e ndërtimeve po bëhet pa asnjë interes publik, vetëm për të mbjellë disa pemë.

Ardit Sheqi, njëri prej pronarëve thotë se prishja e shtëpisë po i bëhet në një kohë që ende nuk ka kaluar shpronësimi.

Sipas tyre, shpronësimet e dhëna nga shteti për ndërtimet që po prishen nga IKMT janë qesharake dhe se çështjen do ta ndjekin deri në gjykatat ndërkombëtare.

Aksioni i IKMT për shembjen e objekteve në hyrje të qytetit ka nisur prej disa ditësh. Deri më tani janë shembur 10 objekte të cilat janë me certifikata pronësie por pritet të marrin shpronësimet në një vlerë totale prej afro 4 milion euro.

Ndërkohë më herët IKMT ka shembur edhe 11 objekte të tjera pa leje në funksion të projektit të hyrjes së Shkodrës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos