“Hajduti, hajduti, hajduti”... Këto thirrje mbizotëruan në protestën e nëntë të opozitës para bashkisë së Tiranës kundër Erion Veliajt. Skenari edhe në këtë tubim të radhës ishte i njëjtë, ku folësit ritheksuan akuzat për korrupsion ndaj kryebashkiakut, duke dërguar një mesazh edhe për kreun e qeverisë Edi Ramën.
“Rama dje fliste për korrupsionin se si donte ai ta luftonte atë, e ka një provë të parë për ta dhënë pasnesër, ku është thirrur mbledhja e këshillit bashkiak. A do të ketë fuqi të sjellë Veliajn para këshilltarëve të japë llogari?”, tha Dorian Teliti, nënkryetar, Këshilli Bashkiak Tiranë.
Belind Këlliçi premtoi qëndresë pa kushte, duke deklaruar se protesta do të përfundojë vetëm kur Veliaj të largohet nga drejtimi i bashkisë.
“Kjo betejë nuk mbaron këtu. Përgjegjës, nismëtar, ideator dhe përfitues kryesor i aferës së inceneratorit të Tiranës dhe i 5D është një dhe vetëm një, Erion Veliaj”, tha Belind Këlliçi – Anëtar Kryesie, PD- Rithemelimi.
Thirrjet e protestuesve u shoqëruan dhe me hedhjen breshëri të molotovëve, duke rrezikuar dhe jetën e punonjësve të medias. Molotovët te dera dhe te këmbët. Duke mos u mjaftuar me panikun e shkaktuar, aktivistja Adriana Kalaja shtoi dozat e kërcënimit.
“Nuk ndalem kur kam armë në dorë”, tha ajo.
Me premtimin se protesta do të vijojë edhe në javën e ardhshme, qytetarët u shpërndanë paqësisht, ku këtë herë nuk patën asnjë tentativë për heqjen e gardhit rrethues. (A2 Televizion)