Themeluesi i “Fundjavë Ndryshe”, Arbër Hajdari, i përkushtuar te humanizmi dhe ndihma ndaj më të pamundurve, është nderuar me titullin “Qytetar Nderi” në Maqedoninë e Veriut.
Kryetari i Komunës së Dibrës së Madhe, Hekuran Duka, në fjalën e tij në ceremoninë e dhënies së këtij titulli të veçantë për Arbër Hajdarin, pohoi se ky vlerësim vjen për shkak të kontributit të tij në ndihmë të mijëra familjeve shqiptare.
“Dibra ka një arsye më shumë për të festuar, jo vetëm që u hap tuneli i Murrizit, por sotnderojmë një njeri që ka bërë ndryshim të madh për njerëzit në nevojë. Arbër Hajdari nuk është vetëm një emër por simbol i solidaritetit, ndihmës dhe besimit se së bashku mund të bëjmë më shumë për njëri tjetrin”, u shpreh Hekuran Duka, kryetar i Komunës, Dibra e Madhe.
Një nder të jashtëzakonshëm e quajti vetë Arbër Hajdari, këtë titull që iu dha. Sipas tij, ky vlerësim nuk është vetëm për të, por për të gjitha ata që besojnë në fuqinë e së mirës dhe solidaritetit.
“Ky çmim sot nuk më përket vetëm mua, por edhe atyre njerëzve të ndershëm që na kanë mbështetur në çdo hap të rrugëtimit tonë. Nëpërmjet punës sonë me Fundjavë Ndryshe kam pasur privilegjin të shoh me sytë e mi fuqinë e jashtëzakonshme të solidaritetit. Kur njerëzit bashkohen: mrekullitë ndodhin!”, tha Hajdari.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe figura të shquara të politikës shqiptare dhe asaj të Maqedonisë së Veriut, të cilët shprehën mirënjohje për Hajdarin.
“Heronj janë ata që bien për atdhe. Ti je sot heroi i paqes, hero i humanizmit sepse kështu e filloi Nënë Tereza dhe sot është e shenjtë. Ti bën punë të mëdha pa interes personal, por në ndihmë të njerëzve të pamundur, të cilët janë kategoria më e ndjeshme e shoqërisë”, u shpreh Ali Ahmeti, Kryetar, BDI.
“Një medalion i rinisë shqiptare e merr këtë titull në një moshë fare të re sepse vullnetarizmi dhe humanizmi si vlera universale të njeriut e bëjnë Arbër Hajdarin shembull të rinisë shqiptare”, tha ministri Ulsi Manja.
Arbër Hajdari në fund të ceremonisë pohoi se ky çmim e frymëzon për të vijuar misionin e tij humanitar dhe shtoi se “ky moment dëshmon se e mira fiton gjithmonë”.
(A2 Televizion)