Rama: Pagat e Forcave të Armatosura do t’i çojmë sa mesatarja e NATO-s

Nga A2 CNN
5 Prill 2025, 15:55 | Aktualitet

Rama: Pagat e Forcave të Armatosura do t’i çojmë sa

Kryeministri Edi Rama, gjatë një vizite në Zall-Herr së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Pirro Vengu, prezantoi arritjet dhe sfidat e ardhshme në fushën e mbrojtjes, duke vënë theksin tek rritja e ndjeshme e pagave në Forcat e Armatosura dhe përmirësimi i kushteve të shërbimit.

Rama deklaroi se Shqipëria tashmë ka ushtrinë më të mirëpaguar në rajon, duke theksuar se pagat janë rritur deri në 1550 euro, një përmbushje e një prej premtimeve kyçe të qeverisë. Sipas tij, objektivi është që pagat të arrijnë nivelin mesatar të vendeve të zhvilluara të NATO-s, një synim që po afrohet gjithnjë e më shumë falë punës së vazhdueshme.

“Kemi pesëfishuar numrin e rekrutimeve dhe kemi bërë një transformim të plotë nga ushtria më e keqpaguar në rajon, në një forcë të mirëtrajtuar dhe të motivuar. Qëllimi ynë është të arrijmë mesataren e NATO-s. Pra kemi objektiv mesataren e pagës mesatare të ushtrisë së vendeve të përparuara të NATO-s jemi afër asaj dhe po vijojmë punën për të arritur atje”, u shpreh Rama.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, nënvizoi përkushtimin e Forcave të Armatosura shqiptare në misione ndërkombëtare, me mbi 500 trupa të angazhuara jashtë vendit.  Ai theksoi se tashmë sektori i mbrojtjes nuk ka problematika financiare dhe se prioritet mbetet zhvillimi i industrisë ushtarake vendase.

“Kemi një angazhim të përditshëm nga qeveria dhe kryeministri për të forcuar ushtrinë dhe sigurinë kombëtare”, përfundoi Vengu.

Në këtë aktivitet foli edhe drejtori i Agjencisë Kombëtare për Mbrojtjen Civile, Haki Çako, i cili theksoi rolin e Mbrojtjes Civile në operacionet shpëtuese brenda dhe jashtë vendit, si në Greqi e Turqi.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos