Rama viziton vilën e ish-diktatorit pas protestës: Artistët i gjeta të traumatizuar, turp për gjykatësit që lirojnë keqbërësit

Nga A2 CNN
1 Mars 2026, 12:12 | Aktualitet

Rama viziton vilën e ish-diktatorit pas protestës: Artistët i

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar në rrjetet sociale se ka vizituar ish-vilën e diktatorit Enver Hoxha, e cila një ditë më parë u sulmua me molotovë nga protestuesit e Partisë Demokratike. Në postimin e tij në X, Rama thekson se i ka gjetur artistët të traumatizuar nga sulmi, të cilin e cilësoi si akt barbarie. Kreu i qeverisë dënoi sulmin dhe kritikoi gjyqtarët që, sipas tij, lirojnë autorët e zjarrvënieve, duke i konsideruar bashkëpërgjegjës për vandalizmat.

Postimi kryeministri Edi Rama në platformën X:

Sapo dola nga rezidenca e artistëve në ish-shtëpinë e diktatorit, ku prej kohësh tanimë fondacioni prestigjioz Art Explora mikpret të rinj të talentuar nga Shqipëria, Kosova e mbarë bota, të cilët i gjeta të traumatizuar nga çmenduria e barbarisë së mbrëmshme.

Një sulm i verbër i një grushti të verbërish të paguar për të frikësuar qytetin dhe njollosur Shqipërinë, nën udhëheqjen e një ligësire kriminale tetëdhjetë e kusur vjeçare, që mban nga pas ca hunj gardhi me status deputeti, e që vjen vërdallë si i marri i lagjes nëpër Tiranë, ndërkohë që s’ia var më thuajse askush!

Gjykatësit që i lirojnë këta zjarrvënës të rrezikshëm, sa herë arrestohen nga policia janë bashkëpërgjegjës për këto vandalizma të pandodhura askund në Europë me bekimin e nën hyqmin e një partie parlamentare, në selinë e të cilës nuk flitet për ide e programe, po bëhen vetëm plane dhune dhe bomba artizanale!

Turp për çdo gjykatës që rinxjerr në rrugë këta keqbërës të Shqipërisë dhe turp për qeverisjen e gjyqësorit që rri e vështron sikur Shqipëria nuk është edhe atdheu i saj! (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos