Meteorologia e A2 CNN, Tanja Porja, tha se reshjet që përfshinë Durrësin në ditët e fundit nuk e justifikon situatën e krijuar me përmbytje të mëdha. “Ka rënë 44.6 mm shi dhe është bërë nami në Durrës dhe duhet të dalim me gomone. Është skandaloze. 44.6 mm janë 44 litra ujë në 1 metër katror. Kjo ka rënë në 24 orë. Pra, a ka aftësi thithëse Durrësi, apo aftësi kulluese? Durrësi ka pasur raste me reshje 180 mm në 24 orë. Të mos flasim për Tiranën dhe Shkodrën”, tha ajo e ftuar në “Off the Record nga Andrea Danglli”.
Sipas saj, Durrësi ka ndryshuar nga pikëpamja urbane, por nga pikëpamja e fatkeqësive natyrore apo e përmbytjeve nuk ka ndryshuar. “Përmbytej me 27 mm, sot përmbytet me 30, me 40 apo me 60 mm. Durrësi përmbytet nga shkaqe të tjera. Është e dhimbshme ta thuash dhe ta pranosh, por kjo është e vërteta. Një nga zonjat që doli tha se nuk e di nga erdhi uji, sepse reshjet kishin pushuar. Pra, nga diku tjetër vjen. A ka kanale? A ka sistemime të lumenjve dhe të përrenjve? A kanë funksionuar hidrovoret e të tjerë?”, shtoi Porja.
Ajo tha se sasia e reshjeve në qytet nuk ka ndryshuar shumë, por sjellja e tyre në kohë ka ndryshuar totalisht. “Për ta thënë më thjeshtë, sasitë mujore vijnë për dy apo tre ditë, kur në fakt duhet të shpërndahen gjatë gjithë muajit. Në fakt, Durrësi e përligj ujin e ditës së djeshme nëpër rrugë për shkak të intensitetit të lartë të reshjeve. Intensitet i lartë do të thotë 1 mm në një minutë, 10 mm në 10 minuta quhet intensitet i lartë. Dhe intensitet ekstremisht i lartë është diku te dyfishi: 20 mm në 20 minuta. Në Durrës pati rreth 23 mm në 15 minuta dhe e përligj ujin nëpër rrugë, por nuk e përligj faktin që uji vijon të jetë ende nëpër rrugë që nga dita e djeshme dhe sot”, tha ajo. (A2 Televizion)