
Reshjet e fundit kanë sjellë një përkeqësim të situatës hidrike në Qarkun Fier, sipas informacionit zyrtar të Bashkisë, përcjell A2 CNN. Aktualisht, akset rrugore në të gjithë qarkun janë të aksesueshme normalisht, ndërsa furnizimi me energji elektrike dhe ujë të pijshëm vijon pa ndërprerje të plota, megjithëse me kufizime në disa zona urbane.
Nivelet e lumenjve Seman dhe Shkumbin janë në tendencë rritjeje, ndërsa situata paraqitet më problematike në lumin Vjosë Në pikën e matjes në Urën e Mifolit, prurjet kanë kaluar 9 metra, duke arritur nivelin kritik buzë argjinaturës. Si pasojë, rreth 200 hektarë tokë bujqësore janë përmbytur në fshatrat Kashisht, Adë, Kafaraj, Cerven dhe Ferras, brenda argjinaturave mbrojtëse. Prurje të shumta ka pasur edhe në Memaliaj, ku niveli ka shkuar 7,5 metra.
Gjithashtu, është raportuar prani e lartë uji në 27 banesa në zonën Ferras–Cerven. Prurjet e shtuara kanë ndikuar edhe në Stacionin e Pompimit të Kafarajt, nga ku furnizohet qyteti i Fierit me ujë të pijshëm. Për arsye sigurie, disa pompa janë stakuar, duke sjellë furnizim me grafik të reduktuar për qytetin.
Autoritetet lokale dhe Institucioni i Prefektit janë në terren dhe po monitorojnë nga afër situatën, ndërsa të dhënat nga pika e Memaliajt paralajmërojnë përkeqësim të mundshëm në orët në vijim. (A2 Televizion)