Rihodhën në treg mandarinat me pesticide, Gjykata jep vendimin për 3 të arrestuarit

Nga A2 CNN
27 Shkurt 2025, 17:42 | Aktualitet

Rihodhën në treg mandarinat me pesticide, Gjykata jep vendimin

Gjykata e Beratit ka dhënë sot masat e arrestit për tre të ndaluarit e dyshuar së hodhën në treg 21 tonë mandarina me pesticide të cilat ishin kthyer nga Kroacia.

Seanca e caktimit të masës së sigurisë u zhvillua me dyer të hapura. Në fund të saj, gjykata e Beratit vlerësoi si të vlefshme arrestimet dhe la në fuqi masën arrest me burg për 3 personat e arrestuar Arben Dyli, Elton Tafaj dhe Elson Tahiraj.

Gjatë seancës avokatët mbrojtës i quajtën të ndaluarit viktima të luftës tregtare të konkurrencës me qëllim dëmtimin e tregtarëve vendas. Madje avokati mbrojtës i Arben Dylit hodhi dyshime në vërtetësinë e analizave të shtetit kroat, shkruan A2 CNN.

Ndërsa në fjalën e tij përpara trupit gjykues, eksportuesi Arben Dyli u shpreh se nuk e dinte që duhej  njoftuar AKU pasi iu kthye produkti mandarinës.

Ai njoftoi fermerët një nga Goriçani dhe tjetri nga Saranda për të marrë mbrapsht mallin.

 Fermeri i arrestuar Elton Tafa u shpreh se i është bërë padrejtësi nga AKU pasi i ka treguar që  mandarinat ishin prishur, kalbur, ndaj i hodhi në landfillin e Dimalit.

“Mu thye zemra kur i hodha sepse ishte djersa ime”, ka thënë ai. Tafa kishte debatuar me Dylin pasi dyshonte që mandarinat e kthyera mbrapsht nuk ishin të tijat, e megjithatë ai e mori të mirëqenë dhe i hodhi në plehra.

Pavarësisht mbrojtjes dhe deklarimeve të të arrestuarve, gjykata vendosi masën e arrestit me burg. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos