Një ditë pasi u shfaq në mbledhjen e grupit parlamentar të PS për të shprehur qëndrimin e tij për aksionin e SPAK, që vendosi 24 masa sigurie për punonjës dhe pedagogë të Universitetit Bujqësor, rektori Fatbardh Sallaku ka mbledhur senatin akademik.
A2 CNN mëson se në mbledhje rektori i UTB ka raportuar në lidhje me situatën në këtë institucion.
Burime për A2 CNN bëjnë të ditur se rektori ka kërkuar nga stafet akademike që të vijojë normalisht procesi mësimor në të gjitha fakultetet e Universitetit.
Po ditën e sotme pritet të komandohet adminstratori i ri i UBT-së, pasi GJKKO vendosi të lërë në burg administratorin aktual, Edmond Terthorja.
Senati Akademik është vënë në dijeni edhe për bisedën që rektori Sallaku ka zhvilluar me drejtues të Universitetit të Bokusë në Vjenë.
Sallaku ka deklaruar se Universiteti i Vjenës do të vijojë bashkëpunimin me Universitetin Bujqësor për të riformatuar programet e studimit në UBT dhe aplikimin e diplomave duale vitin e ri akademik.
Ditën e djeshme, Sallaku deklaroi para grupit parlamentar të mazhorancës se edhe atij i është marrë telefoni, në kuadër të hetimeve që u zhvilluan nga Prokuroria e Posaçme dhe që përfunduan me arrestimin e 5 personave, dhe dhënien e masave më të lehta të sigurisë për 19 persona të tjerë, mes tyre zëvendësrektorë, pedagogë, drejtorë prokurimesh e specialistë IT.
“Unë nuk di asnjë lloj informacioni se çfarë është trajtuar. Fatmirësisht ligji i arsimit të lartë e ndan shumë mirë anën administrative me anën akademike. Që do të thotë rektori me gjithë stafin akademik e mbaron punën e vet deri në dërgimin e buxhetit në senat. Kam qenë subjekt i marrjes së telefonit, jam treguar totalisht i gatshëm, nuk kam asgjë për të fshehur. Kemi qenë bashkëpunues, kemi dhënë të gjitha informacionet e kërkuara”, tha Sallaku, raporton A2 CNN.
Rektori i UBT sqaroi edhe pse zgjodhi të ishte i pranishëm në këtë mbledhje. "Ajo që dua të theksoj është fakti që, kjo dalje, edhe unë jam i detyruar se jam retor i një universiteti që nuk pianon i izoluar, por është në një proces që ka nisur prej 3 vitesh falë investimit personal të kryeministrit të vendit”, deklaroi Sallaku. (A2 Televizion)