Rruga e Komanit, e cila prej vitesh ishte e amortizuar, tashmë po rikonstruktohet. Përveç zhvillimit të turizmit, ndërtimi i rrugës krijon lehtësi edhe për shërbimin shëndetësor në Koman. Për infermieren e zonës, rregullimi i kësaj rruge do të krijojë lehtësi edhe për dërgimin e pacientëve në spitalin e Shkodrës kur është e nevojshme, shkruan A2 CNN.
Puna ka nisur me 10 kilometrat e parë nga Komani në drejtim të Vaut të Dejës, në segmentin ku gjendja e rrugës ka qenë më e dëmtuar. Për banorët e zonës, nisja e punimeve duket si një ëndërr e kthyer në realitet.
Ky investim ka ngjallur interes edhe te banorët që jetojnë në emigracion, duke i nxitur ata të rikthehen dhe të investojnë në vendin e tyre.
Rruga e Komanit lidh qytetin e Shkodrës me liqenin e Komanit dhe vazhdon drejt Fierzës, duke shërbyer si pjesë e një itinerari të rëndësishëm për ata që udhëtojnë drejt Alpeve Shqiptare. Kjo zonë është një nga destinacionet turistike kryesore të qarkut të Shkodrës, pasi të çon drejt lumit të Shalës. (A2 Televizion)