Rruga Shëngjin-Velipojë drejt përfundimit

Nga Senad Nikshiqi
8 Mars 2025, 12:40 | Aktualitet

Rruga panoramike e cila lidh plazhin e Velipojës në Shkodër me Shëngjinin është drejt përfundimit. Me një vlerë prej 3.8 miliardë lekë ky aks pritet që të jetë i gatshëm plotësisht për këtë sezon të verës pas pak muajsh, shkruan A2 CNN.

Banorët thonë se pas shumë vitesh në harresë kjo rrugë do të sjell një zhvillim të madh për fshatin turistik të Rrjollit në Velipojë ku kalon ky segment rrugor. Ata kërkojnë që pas rrugës të pajisen edhe me certifikatat e pronësisë në mënyrë që të mund të zhvillojnë pronat e tyre në shërbim të turizmit.

Aksi rrugor me një pamje shumë të bukur ka nisur që të vizitohet edhe nga të huajt edhe pse rruga ende nuk ka përfunduar.

“Vij nga Amerika. Një rrugë me një pamje shumë të bukur. Është vërtetë fantastike. Më pëlqen shumë. Për mua është hera e dytë që vij në këtë aks rrugor. Përpara kam qenë me një mikun tim dhe besoj do rikthehemi sërish. Ia vlen ta shijosh këtë natyrë të bukur që ju keni”, thotë një turist.

Rruga e re turistike Velipojë-Shëngjin e shkurton me një orë këtë aks duke e bërë për 20 minuta. Në këtë segment mund të shijosh lagunën e Vilunit, Rrjollin, Ranën e Hedhun dhe deri në plazhin e Shëngjinit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos