Rrezikohet shembja e urës, ndalohet qarkullimi për të gjitha mjetet në rrugën Librazhd-Pogradec

Nga Marjo Brakaj
21 Shkurt 2026, 17:42 | Aktualitet

Aksi rrugor Librazhd-Pogradec që të çon në është i bllokuar. Asnjë automjet nuk lejohet të kalojë në të për shkak të urës që po shembet në zonën e njohur si “Arrat e Gurrës”.

Ami Kozeli, drejtor i ARRSH, u shpreh: “Ka një zhvillim të vazhdueshëm në përkeqësim, sepse nga mëngjesi spostimi i urës në mëngjes ishte 27 cm nga kjo anë që ne jemi, ndërkohë që aktualisht është 29 cm. Nga vizita që ne bëmë tani poshtë urës aty ka prezencë, po thërrmohet betoni pra që tregon se ajo është aktive edhe në këtë moment që ne po flasim. Kështu që si autoritet jemi të detyruar të bëjmë këtë bllokim total tashmë jo vetëm për mjetet e rënda të cilën e njoftuam në mëngjes, por edhe për mjetet normale”.

Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton se për të lejuar qarkullimin ka nisur menjëherë ndërtimi i një bypass-i provizor. Nga ana tjetër, drejtuesit e mjeteve mund të ndjekin rrugën alternative Maliq-Lozhan-Moglicë-Elbasan dhe anasjelltas për të arritur në destinacionet e tyre.

“Ju lutem shumë ta shmangni me patjetër duke qenë se është fundjavë dhe kemi një fluks gjatë fundjavave që i drejtohet veçanërisht Korçës, kështu që shmangni këtë rrugë sepse do të gjendeni në trafik, radhë pritjeje, ne nuk jemi në gjendje të themi sa do të zgjasin punimet, por di të them se është e domosdoshme masa që do të merret edhe nga ana inxhinierike se si do të merret, ura në këtë moment nuk shfaq siguri”, shton Kozeli.

Segmenti në fjalë kishte krijuar problematika prej disa ditësh për shkak të rrëshqitjes dhe çarjes së rrugës. Si fillim u ndalua kalimi i mjeteve të tonazhit të rëndë dhe autobusëve, por siç duket kjo masë nuk ishte e mjaftueshme: “Shkaqet janë natyrore, këtu jemi në një zonë ujëmbajtëse, dhe zona pak më qartë quhet Ligata e Bicës, në këtë moment ne jemi në një zonë ujëmbajtëse dhe problemi ne na fillon nga poshtë, jo nga lart. Dhe kjo po ndodh sepse është lumi që e gërryen nga poshtë dhe më pas e skalon duke e ngjitur lart. Edhe zhvillimet e orëve të fundit janë pikërisht për këtë gjë, pra është një fenomen natyror”.

Policia e Qarkullimit Rrugor ka ngritur dy postblloqe të cilat këshillojnë drejtuesit e mjeteve për kujdes të shtuar edhe në aksin e vetëm rrugor të çon drejt nga juglindja drejt kryeqytetit, Maliq-Moglicë-Gramsh. Kjo pasi në pesë vende të ndryshme të këtij aksi të këshilluar për përdorim nga ARRSH, ka shkarje dherash dhe rruga ka plasaritje të asfaltit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos