Sikur të mos u mjaftojnë problematikat dhe vështirësitë e shumta që kanë në jetën e përditshme, banorët e fshatit Drizar, në bashkinë e Mallakastrës, e kanë shumë të vështirë të përcjellin për në banesën e fundit të afërmit e tyre.
Rruga që të çon drejt varrezave, me një gjatësi prej 1,5 km, është mjaft e vështirë për t’u kaluar, si me këmbë ashtu edhe me mjete. “Nuk ka më keq. E marrim njeriun që vdes dhe e çojmë në krah. Sot është shumë keq që ta çojmë njeriun në krah”, tregon për A2 CNN një e moshuar.
“Kështu janë bërë varrimet. I marrim në krah nga shtëpitë dhe i sjellim këtu”, tregon një banor i zonës. “Dimër apo verë, makina nuk zbret dot. E çojmë në krah”.
“Nëse nuk ka çelur qeveria fond, të na thotë se unë kam çuar shpirtin atje, do të investoj unë. Por jo kështu”, thotë një tjetër banore e zonës.
Madje, në ceremonitë e varrimit nuk kanë munguar as incidentet, ku njerëzit janë rrëzuar dhe kanë thyer gjymtyrët. “Erdhi nipi, se është në Angli, me gjithë nusen. Pasi mbaruam varrimin, ai rrëshqiti dhe theu këmbën. E çuam në Fier urgjentisht”.
Banorët apelojnë që pushteti lokal të mbajë sadopak premtimet e dhëna për ndërtimin e kësaj rruge, duke e shtruar qoftë edhe me çakull, që të kenë mundësi të shkojnë pa rrezikuar personat që shoqërojnë të ndjerin në banesën e fundit. (A2 Televizion)