“Ilaçet e publikuara nuk përdoren te qentë”, denoncimi i trajnuesit të qenve

Nga A2 CNN
28 Prill 2026, 10:34 | Aktualitet

Debati mbi trajtimin e qenve endacakë në qytetin e Vlorës është rikthyer në vëmendje pas publikimit të një projekti për strehimin e tyre, me një kosto prej rreth 260 euro në muaj për çdo qen. I ftuar në “Dita jonë” në A2 CNN, trajnuesi dhe veterineri Johny Prifti ka ngritur shqetësime mbi përmbajtjen dhe zbatimin e këtij projekti, duke vënë në pikëpyetje jo vetëm shifrat, por edhe cilësinë e shërbimeve të ofruara.

Sipas tij, pa një databazë të saktë, është e pamundur të kontrollohet burimi i qenve endacakë, shumë prej të cilëve braktisen pas disa vitesh nga pronarët. “Shpresoj të mos kthehemi edhe njëherë siç ka qenë Tirana dikur, kur i vrisnin me çifte dhe shkonin te bashkia, dorëzonin bishtin për të marrë lekë dhe fishekë. Kështu ka qenë rregulli dikur; ka ekzistuar. Diku rreth viteve 2008–2009 duhet të jetë hequr, kam përshtypjen. Deri atëherë bashkia i vriste. Të mos bëhemi ashtu, por as si në tregjet e Kinës ku i përdorin për ushqim. Të kalojmë në një qasje tjetër”, tha ai.

“Qentë e rrugës duhen strehuar, patjetër. Por problematika fillon më lart: ne nuk kemi një sistem kombëtar të matrikullimit të qenve. Nuk kemi një numër të saktë zyrtar se sa qen mbahen në shtëpi, sepse mungojnë shifrat. Regjistrimi është vetëm te veterinerët, por pas vitit 2013 është parë rritje e numrit, pasi shumë qen mbahen për një ose dy vjet dhe më pas lihen sërish në rrugë. Kjo bën që numrat dhe kostot të rriten vazhdimisht. Nuk ka një regjistër të mirëfilltë që të tregojë se kujt i përket një qen i caktuar”.

Një tjetër shqetësim i ngritur prje tij lidhet me listën e medikamenteve të publikuara nga bashkia. Prifti theksoi se disa prej tyre janë të vjetruara ose të papërshtatshme për përdorim, madje mund të shkaktojnë efekte të dëmshme te kafshët.

“Sa i përket projektit të bashkisë Vlorë, me kosto 260 euro në muaj për qen, lind pyetja nëse kjo është e mbifaturuar apo reale. Nga sa është publikuar, disa produkte të listuara nuk përdoren më. Për shembull, Ivomeku, që përmban ivermektinë, mund të shkaktojë djegie të forta te qentë, edhe pse përdoret si antiparazitar”, u shpreh ai.

“Gjithashtu, disa anestetikë si ai i përmendur kanë efekte anësore të shumta. Dyshimi është se janë përfshirë sepse janë të lira dhe lejojnë manipulim në çmime”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos