Liderët e Bashkimit Europian dhe ata të Ballkanit Perëndimor zhvillojnë një takim të rëndësishëm sot në Bruksel. Në fokus do të jetë procesi i zgjerimit dhe luftimi i ndikimi të Rusisë në rajon.
Në kuadër të këtij samiti, kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim kokë më kokë me Komisionerin për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Olivér Várhelyi.
Ky i fundit, në një postim në platformën “X”, bën të ditur se pas përfundimit të procesit “screening”, Unioni është gati që të hapë kapitujt e parë të anëtarësimit.
Ky hap i radhës pritet të ndërmerret gjatë Konferencës së dytë Ndërqeveritare që do të mbahet brenda këtij viti. Ndërkohë, kujtojmë se Athina zyrtare ka kërcënuar që të pengojë procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, nëse kryetari i zgjedhur i Bashkisë Himarë Fredi Beleri do të vijojë të mbahet pas hekurave.
Pikërisht për tejkalimin e mosmarrëveshje mes fqinjëve foli dhe presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel, në fjalën e tij përpara nisjes së samitit, por duke theksuar rëndësinë e forcimit të sundimit të ligjit.
Ne i duam vendet e Ballkanit Perëndimor brenda BE-së. Prej tyre presim më shumë reforma, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, në fushën e pavarësisë së drejtësisë. Por nga ana jonë, ne duhet të bëjmë edhe detyrat tona. Dhe kjo është arsyeja pse ne filluam debatin tonë strategjik në nivel liderësh, për të identifikuar se cilat janë reformat që nevojiten për ta bërë projektin tonë europian gati për sfidat që do të kapërcejmë në të ardhmen. Dhe sigurisht, ne dëshirojmë që vendet e Ballkanit Perëndimor të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre dhe të përmirësojnë nivelin e bashkëpunimit mes tyre. Ju e dini që projekti i BE-së bazohet në pajtim. Do të thotë që pajtimi, zgjidhja e mosmarrëveshjeve, është një hap themelor që nevojitet për të bërë më shumë përparim.
Kurse, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ngriti alarmin se Serbia është duke përgatitur sulme në Kosovë.
Të gjitha informatat që ne i kemi është që Serbia po planifikon sulme të reja. Unë do të informoj sot të gjithë liderët europianë për informatat që institucionet tona të sigurisë që së bashku me partnerët i kanë mbledhur në këtë drejtim, sepse këto janë alarme të cilat të gjithë ne së bashku duhet t’i marrim shumë seriozisht dhe të veprojmë në parandalim, në mënyrë që Serbia të mos lejohet më ta destabilizojë rajonin… Për fat të keq akoma Serbia udhëhiqet nga njerëz të cilët dëshirojnë ta kthejnë prapa rajonin tonë në vitet e nëntëdhjeta. Ne nuk duhet ta lejojmë një mentalitet dhe një logjikë e tillë të triumfojë, prandaj po punojmë me partnerët tanë në Bashkimin Europian. (A2 Televizion)