Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, duke analizuar fenomenin e rritjes së çmimeve në vend, thekson se situata po rëndon gjithnjë e më shumë mbi shtresat në nevojë.
Duke folur në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Shehu tha se çmimet në Shqipëri janë rritur ndjeshëm, duke krijuar një hendek të madh mes të ardhurave dhe shpenzimeve të përditshme.
Ai theksoi se ndërhyrja e qeverisë përmes subvencioneve në burim, pra te kompanitë dhe grosistët e mëdhenj, do të ishte një zgjidhje efiçente për situatën.
“Po ia shpërndave peshën qytetarëve, e paguan ai që është më i varfër, më i vogël, se kur marrim strukturën e shpenzimeve, te një familje që i ka ca të ardhura ushqimi merr 20 për qind, te ai fukarai merr 80 për qind, si të thuash ai e ndjen çmimin më tepër, se inxhinieri, arkitekti, biznesmeni, te ai ushqimi është një 5 për qind. Këtu ka dy rrugë, ose do t’i subvencionojmë këto kategori, ose do subvencinojmë burimin, unë jam për këtë. Sa janë kompanitë që sjellin naftën,3-4 janë, sa e kanë pasur fitimin, kaq do t’ua lejmë. Unë do t’u subvencionoj diferencën si shtet”, u shpreh kreu i LZHK.
“Në Shqipëri kanë hyp çmimet sikur rrogat janë nga 2000 euro. Ik e hy nëpër dyqane tani, jepi pensionin një pensionisti edhe dil nga dyqani, a e mbush dot një karrocë, jo që s’bëhet fjalë të blejë mish e peshk, por edhe këto zarzavatet janë bërë të papërballueshme. Subvencionoje që në princip, është shumë e thjeshtë edhe nga ana financiare. Qeveritë e mira këtë punë bëjnë, se për këtë punë janë qeveritë. Pasanikët do bëhen më të pasur, të varfrit do të bëhen më të varfër. Ky fenomen ndodh sa herë ka krizë. S’është vetëm në Shqipëri ky fenomen, është në të gjithë botën. Po ne shtresën e varfër e kemi më tepër”, tha Shehi. (A2 Televizion)