Shembje e re në aksin Qukës-Qafë Plloçë, devijohet qarkullimi i automjeteve

Nga A2 CNN
23 Nëntor 2025, 11:20 | Aktualitet

Shembje e re në aksin Qukës-Qafë Plloçë, devijohet

Një tjetër shembje masive ka ndodhur mëngjesin e sotëm në aksin rrugor Qukës-Qafë Plloçë, ku një masiv dheu e gurësh është shkëputur nga skarpatet e rrugës dhe ka rënë në rrugë duke bërë bllokimin e saj, kjo ka ardhur si pasojë e reshjeve të shumta të ditëve të fundit.

Për shkak të rrezikut dhe për të garantuar sigurinë e përdoruesve të rrugës, qarkullimi i automjeteve është devijuar në një korsi të re, e cila ishte hapur disa ditë më parë nga firma kontraktuese, pasi pritej që një situatë e tillë të ndodhte, shkruan A2 CNN.

Nga ana e kompanisë ndërtuese është realizuar një bypass, i cili mundëson kalimin e mjeteve në të dy drejtimet, duke shmangur bllokimin total të qarkullimit në këtë segment problematik.

Shembje të tilla janë përsëritur disa herë në këtë aks, veçanërisht në lotin e tretë, ndërsa kjo konsiderohet shembja e dytë masive në këtë segment rrugor. Sipas specialistëve, situata ishte e parashikueshme, pasi terreni ku është ndërtuar rruga paraqet paqëndrueshmëri të theksuar.

Autoritetet dhe policia rrugore po monitorojnë situatën në terren dhe u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes gjatë qarkullimit në këtë zonë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos