Ditën e sotme, gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, është vendosur shkarkimi nga detyra i zëvendësministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Roland Kristo dhe drejtoreshës së Përgjithshme të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, Arta Dollanit.
Përmes një njoftimi bëhet e ditur se zv.ministri është shkarkuar nga detyra me propozimin e kryeministrit Edi Rama, ndërsa drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit është shkarkuar nga detyra me propozimin e ministrit të Mjedisit.
“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave vendosi:
Z. Roland Kristo, zëvendësministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, lirohet nga kjo detyrë. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në ‘Fletoren zyrtare’”, thuhet në njoftim, shkruan A2 CNN.
“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 61, të ligjit nr.10431, datë 9.6.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave vendosi:
Znj. Arta Dollani, drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, lirohet nga kjo detyrë. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”, thuhet në njoftim.
(A2 Televizion)