Dash Sula: Një ish-president ka marrë deri në 500 mijë euro për një vend në Gjykatën e Lartë

Nga A2 CNN
22 Tetor 2025, 14:29 | Aktualitet

Ish-deputeti demokrat, Dashnor Sula zbuloi në “Puls” nga Bruna Çifligu, në A2 CNN, se një ish-President i Shqipërisë ka marrë shuma nga 300 deri në 500 mijë euro për të emëruar një gjyqtar në Gjykatën e Lartë.

Sula nuk përmendi emra por tha se të gjithë i dinë shumat, të cilat paguheshin nën dorë për të kryer transferime dhe emërime gjyqtarësh e prokurorësh, para se të realizohej reforma në drejtësi e të ngrihej SPAK-u, BKH dhe Gjykata e Posaçme.

"Patëm shkuar deri në atë pikë që perceptimi i qytetarëve dhe realiteti ishte jashtëzakonisht i rëndë për shkak se përveç korrupsionit që nuk goditej, flasim për legjislativin dhe për ekzekutivin që ishin thuajse të lidhura duart sepse ishte një prokuror që komandohej nga Prokurori i Përgjithshëm, dhe ky që ishte i zgjedhur nga politika dhe që intimidohej, dhunohej e shkarkohej nëpërmjet politikës. Ndaj u bë reforma dhe krijimi i SPAK-ut i GJKKO-së e gjitha gjëra të tjera. Unë po bëj një deklaratë publike dhe nuk kam frikë ta them. Sigurisht që nuk do ta them me emër, me gjëra të tjera, por brenda sistemit të drejtësisë arriti një moment që një ish-president që ka qenë në atë kohë që të emëroheshin në Gjykatën e Lartë apo në Gjykatën Kushtetuese apo transferim gjyqtarësh e transferim prokurorësh nëpërmjet ryshfetit. Arriti që të paguash 300 thonin, flitet deri në 500.000€ për një vend në Gjykatën e Lartë. Po 300 deri 500.000€. Të them tani dhe nuk ta thotë vetëm Dash Sula, e thonë edhe njerëzit përqark që të gjithë e dinë. Është bërë pazar, po është bërë pazar. Nuk e ka bërë as Bujar Nishani i ndjeri, s'e ka bërë as Rexhep Mejdani, as... nuk po vazhdoj më tej. Por e kanë bërë dhe duke bërë këtë gjë erdhi momenti tani. Gjëja e parë çfarë ndodh kur vete gjyqtari atje do vejë të vjedhë, të nxjerrë lekët e veta njëherë. Imagjino në Gjykatë të Lartë e Gjykatë Kushtetuese është kulmi, maja e drejtësisë. Dhe të gjithë në Shqipëri jetojmë, i marrim vesh sa i korruptuar është Dashi, sa i korruptuar është tjetri, sa bën tjetri. Arriti transferimi i gjyqtarëve 100.000€ pati shkuar, i prokurorëve 5000€ ka shkuar ose promovimi nga Shkalla e Parë në Apel e shumë gjëra të tjera”, tha Sula në “Puls” nga Bruna Çifligu, në A2 CNN. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos