Në një moment ku sektori i hotelerisë po vuan për staf për shkak të mungesës së punonjësve me eksperiencë, qeveria shqiptare vjen me një propozim të ri. Në takim me përfaqësuesit e bizneseve, kryeministri Edi Rama u kërkoi atyre që të investojnë tek nxënësit e shkollave profesionale duke u mundësuar që gjatë kohës së praktikës edhe të paguhen.
“Bëhet fjalë për të sjellë pranë sipërmarrjeve nxënës, të cilët gjatë kohës që qëndrojnë në mjediset e sipërmarrjes duhet të bëjnë shkollën dhe duhet të trajtohen me maksimumin e kujdesit duke ndaluar rreptësishtë abuzimin me ta. E thënë ndryshe, nëse dikush vjen në një hotel për të marrë arsimimin e nevojshëm profesional për recepsionin, kjo nuk do të thotë që ai vjen aty për t’u marrë e për t’u vënë atje në recepsion meqë në recepsion mungon dikush”, tha kryeministri.
Në Shqipëri sipas Ramës ka ardhur momenti që vëmendja ndaj turistëve të kthehet tek shërbimi, jo vetëm tek fasadat e bukura.
“Të rroftë Mecedesi në qoftë se trupin e ke si karrocën e Dylit, të rroftë hoteli me 5 yje në qoftëse organizmin e gjallë të atyre që e mbajnë hotelin e ke me një yll që tre cepa janë të thyer. Nuk funksionon! Nëse del nami që nuk ka shërbim, nuk ka marrëdhënie që garantojnë që çfarë të jep natyra, ta jep edhe njeriu, atëherë të gjithë këto investime do të kthehen në problem shumë të madh financiar”, shtoi kreu i qeverisë.
Ekzekutivi në një vit do ta pilotojë këtë projekt të arsimimit dual, por Rama ua bëri të qartë se kjo nuk do të lihet vetëm në vullnetin e bizneseve.
“Punëdhënësit e mëdhenj, të gjitha bizneset e mëdha të Republikës së Shqipërisë duhet ta dinë që 1% e shpenzimeve të tyre totale do të shkojë për këtë punë dhe ose do të shkojë për këtë punë ose do t’u merret për këtë punë. Shpenzimet e bëra në kuadër të pagesës së nxënësve që do të marrin pjesë në arsimin dual do të konsiderohen shpenzime të zbritshme nga taksat. Ndërkohë që, kush nuk do të futet në këtë proces do të duhet ta derdhë këtë si kontribut plus taksës, pra 15% taksë, po. Mbi këtë 15% do të jetë një kontribut ekstra që, sipas madhësisë së kompanive, sipas madhësisë së xhiros etj, që do të shkojë nga 0,5 deri 1% të shpenzimeve totale vjetore”, përfundoi kryeministri.
Në sipërmjarrjet e reja që po ndërtohen, përveç fondit prej 1% do të duhet të krijohen edhe mjedise të posaçme për studimin e këtyre nxënësve, teksa ushtrojnë profesionin. (A2 Televizion)