Në një epokë ku teknologjia po riformaton ekonominë dhe administratën publike, Inteligjenca Artificiale nuk është më një luks i vendeve të zhvilluara, por një mjet strategjik për vende aspirante si Shqipëria. Dhe ndoshta, për herë të parë, Shqipëria ka në dorë një “shteg të shpejtë” për të përshpejtuar hapat e saj drejt Bashkimit Europian.
“Transformimi digjital dhe inteligjenca artificiale vërtet ndryshon biznesin dhe produktivitetin, por mund të mbyllë vende pune dhe tregu i punës do të bëhet edhe më problematik, veçanërisht për
të rinjtë. Dhe po sjell shumë sfida në siguri. Ne të gjithë e dimë se inteligjenca artificiale mund të na ndihmojë të luftojmë korrupsionin me shërbimet elektronike, të përmirësojmë bujqësinë, arsimin, të parashikojmë disa fatkeqësi natyrore, por ajo mund të sjellë rreziqe të tjera reale”, tha Majlinda Bregu.
Me hapjen e kapitujve të parë të negociatave me BE-në, standardet europiane nuk janë më vetëm një objektiv politik – por edhe një sfidë teknologjike. E në këtë garë, Inteligjenca Artificiale po shihet si
një mjet që mund të na ndihmojë të kapërcejmë vite të tëra reformash, përmes efikasitetit, transparencës dhe inovacionit.
Por asnjë teknologji nuk ka vlerë nëse nuk shoqërohet me njerëzit e duhur. Dhe Shqipëria ka një nga pasuritë më të mëdha: talentin rinor. Ajo që i mungon, janë hapësirat dhe lidhjet me rrjetin evropian
të inovacionit.
“Pra, talenti, pa i ofruar mundësi, është humbje. Kjo është arsyeja pse ikja e trurit është një problem i madh që duhet të përmbyset. Investimi në qendrat rajonale të inovacionit është diçka që duhet ta mendojmë shumë seriozisht, duke ndërtuar ekosisteme ndërkufitare të startup-eve, duke i lidhur njerëzit tanë me mentorimin dhe tregjet e kryeqytetit evropian”, shton Bregu.
Megjithatë, ajo çfarë humbim në rutinë, mund ta fitojmë në cilësi. Nga bujqësia tek administrata, nga edukimi tek lufta ndaj korrupsionit, Inteligjenca Artificiale mund të jetë një aleat i fortë për të ndërtuar një Shqipëri që funksionon me standarde europiane – në kohë më të shkurtër.
Shqipëria ndodhet para një dere të madhe europiane. Dhe ndoshta, nuk ka më kohë për të trokitur me dorë. Inteligjenca Artificiale mund të jetë kartela digjitale që na hap portën më shpejt nëse dimë si ta përdorim. (A2 Televizion)
"Shtegu digjital" drejt Brukselit, Inteligjenca Artificiale si ura e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian
