Siguria në shkolla, Rama: 240 oficerë sigurie, monitorim me kamera të klasave

Nga A2 CNN
13 Shtator 2024, 11:58 | Aktualitet

Siguria në shkolla është prioritet i qeverisë dhe për këtë arsye janë angazhuar 240 oficerë sigurie në mbarë vendin. Kryeministri Edi Rama, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu dhe ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, zhvilluan sot një takim me oficerët e sigurisë dhe mësuesit në shkollën “Kosova”, për përmirësimin e sigurisë në shkolla.

“Kemi bërë rritje page për oficerët e sigurisë në 800 euro, por nuk do të ndalemi këtu. Oficerët e sigurisë janë në vend të prindërve. Që vëzhgojnë nga larg fëmijët, që kujdesen për të kuptuar shqetësimet e tyre. Ne sot kemi kamera nëpër shkolla, por janë të pamjaftueshme dhe duhen pasuar me sistem monitorimi me kamera të të gjithë mjedisit të brendshëm të shkollave e klasave dhe jo vetëm monitorimi për përmes IA për t’i dhënë në kohë reale ekipit drejtues një sintezë të problematikave të shfaqura”, tha Rama, raporton A2.

Rrogat e tyre janë rritur dhe do të vijojnë të rriten, deklaroi kreu i Qeverisë, që oficerët e sigurisë në shkolla i krahasoi me prindërit.

“Kemi arritur që pagën mesatare të mësuesve në Shqipëri ta kemi 950 euro. Është një rritje shumë domethënëse përmes së cilët ka edhe një përshkallëzim sipas eksperiencës. Ne nuk kemi ndërmend të ndalemi”, citon A2 kryeministrin.

Ai foli gjithashtu për investimet në infrastrukturën arsimore, si dhe në fuqizimin e autoritetit të mësuesit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos