
Si pasojë e situatës së krijuar nga zjarret në disa zona të vendit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka ngritur mekanizmin e emergjencës për mobilizimin e të gjitha strukturave shëndetësore dhe logjistike në zonat e prekura. Kjo është bërë e ditur në rrjetet sociale nga ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu në një postim në Facebook.
“OSHKSH, QKUM, QSUNT, SUT, e të gjithë spitalet rajonale janë në koordinim të vazhdueshëm për mbështetjen operative të strukturave të përfshira në këtë emergjencë”.

Sipas saj “bashkëpunimi me pushtetin vendor dhe mbrojtjen civile po vijon për evakuimin dhe trajtimin e banorëve të prekur”.
Garantimi i vazhdimësisë së shërbimit shëndetësor pa ndërprerje dhe ofrimi i ndihmës së menjëhershme për çdo qytetar në nevojë, mbetet prioritet, thuhet më tej në postim. (A2 Televizion)