Sekretet e ilustrimit, Sara Lundberg mëson fëmijët si krijohen imazhet e librave

Nga Luela Myftari
9 Nëntor 2026, 11:45 | Kulturë

Një libër nuk është thjesht një histori që lexohet. Është një udhëtim që nis me imagjinatën e një fëmije, një pyetje që kërkon përgjigje, një dritare drejt botëve që ende nuk i njohim.

Përmes takimeve me shkrimtarë, diskutimeve, aktiviteteve krijuese dhe prezantimit të botimeve, festivali letrar për fëmijë dhe të rinj në Berat krijoi një urë komunikimi mes autorëve dhe brezave të rinj. Berati u bë për dy ditë një qytet ku fëmijët dhe të rinjtë nuk ishin vetëm spektatorë, por protagonistë të një feste të letërsisë, madje edhe përmes imazhit.

“Gjatë këtyre dy ditëve ne kemi parashikuar shumë aktivitete, pa folur për orë të veçantë që na vijnë nga Suedia. Zonjën Sara Lundberg, që është piktore, piktore ilustruese.”

Këto janë telajet dhe ilustrimet që ato kanë përgatitur, sepse e ardhmja e librit nuk shkruhet vetëm nga autorët, ajo nis të shkruhet nga çdo fëmijë që hap faqen përtej kopertinës. Ilustruesja suedeze Sara Lundberg dhe përkthyesi Sokol Demaku morën pjesë dhe zhvilluan laborator në bibliotekën e Beratit.

“Jam e mahnitur nga ky vend, mikpritja dhe dëshira e madhe që këta fëmijë kanë për ta pasuruar botën e librit me idetë e tyre në ilustrim. Shoh talent dhe dëshirë që duhen kultivuar. Shpresoj në sa më shumë iniciativa të tilla që të mund të rrisin një brez që e vlerëson të bukurën dhe e bën atë të bukur përmes librit”, tha ajo.

Ndoshta ky është edhe një prej mesazheve më të bukura të festivalit. Fëmijët mund të jetojnë në vende të ndryshme, të flasin gjuhë të ndryshme, por imagjinata i bashkon në të njëjtën botë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos