Reshjet që kanë përfshirë thuajse të gjithë vendin kanë krijuar vështirësi në disa qytete, veçanërisht në Durrës dhe Vlorë. Kanë mjaftuar minutat e para të reshjeve me intensitet në qytetin e Durrësit, që rrugët e përreth stadiumit “Niko Dovana” dhe lagjet 16 dhe 18 të përmbyten dhe prezenca e ujit në rrugë të kalojë nivelin e trotuareve. Përveç vështirësive të qarkullimit të mjeteve, vështirësi kanë pasur edhe lëvizja e këmbësorëve, si dhe kalimi i fëmijëve.
Pothuajse e njëjta situatë ka qenë edhe në rrugët që lidhin bulevardin kryesor me rrugën Transballkanike në Vlorë. Edhe këtu, niveli i ujit në rrugë arriti në mbi 30 centimetra duke vështirësuar së tepërmi lëvizjen e mjeteve dhe të këmbësorëve. Edhe në këtë zonë në Vlorë përmbytjet janë një fenomen që përsëritet rregullisht çdo vit sa herë që ka reshje me intensitet mbi mesatar.
Ndërkohë reshje të dendura shiu ka pasur edhe në Fier, por nuk raportohet për rrugë të përmbytura apo problematika të tjera. Në zonat veriore, reshjet kanë shkaktuar rënie gurësh në disa akse rurale, ndërsa ka problem edhe me furnizimin me energji elektrike në disa fshatra të bashkive të Kukësit dhe Tropojës. (A2 Televizion)