
Mbrëmjen e sotme Urgjenca e QSUT ka mbetur pa energji elektrike për mbi 30 minuta, një situatë që ka shkaktuar tension tek pacientët, stafet mjekësore, por dhe familjarët, veçanërisht në shërbimin e reanimacionit.
Lidhur me këtë situatë ka reaguar edhe vetë QSUT, që përmes një postimi në rrjetet sociale shkruan se ndërprerja e energjisë ka ardhur për shkak të një defekti në linjën e furnizimit me energji elektrike të tensionit të lartë që furnizon Godinën A2.
Po ashtu në njoftim thuhet se falë aktivizimit të menjëhershëm të sistemeve rezervë (UPS, Gjeneratorë), aparaturat mjekësore jetike kanë vijuar të funksionojnë normalisht, duke garantuar vijimësinë e trajtimit dhe duke mos u cenuar në asnjë moment jeta e pacientëve, shkruan A2 CNN.
Menjëherë pas ikjes së energjisë elektrike, sipas QSUT ekipet mjekësore, teknike dhe drejtuese janë vënë në gatishmëri të plotë, duke vepruar sipas protokolleve të sigurisë dhe duke ofruar çdo suport të nevojshëm, për garantimin e shërbimit shëndetësor si dhe duke marrë masat e nevojshme.
Njoftimi i QSUT:
*Informacion për qytetarët*
Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” informon se sot në mbrëmje, për shkak të një defekti në linjën e furnizimit me energji elektrike të tensionit të lartë që furnizon Godinën A2 të QSUT, ka pasur një ndërprerje të përkohshme të energjisë elektrike.
Falë aktivizimit të menjëhershëm të sistemeve rezervë (UPS, Gjeneratorë), aparaturat mjekësore jetike kanë vijuar të funksionojnë normalisht, duke garantuar vijimësinë e trajtimit dhe duke mos u cenuar në asnjë moment jeta e pacientëve.
Menjëherë, ekipet mjekësore, teknike dhe drejtuese janë vënë në gatishmëri të plotë, duke vepruar sipas protokolleve të sigurisë dhe duke ofruar çdo suport të nevojshëm, për garantimin e shërbimit shëndetësor si dhe duke marrë masat e nevojshme.
QSUT siguron qytetarët se situata është menaxhuar me përgjegjësi dhe profesionalizëm dhe se institucioni mbetet në gatishmëri të plotë, për të përballuar çdo situatë, në funksion të mbrojtjes së shëndetit dhe jetës së pacientëve.
QSUT ka ngritur menjehere grupin e punës për verifikimin e situatës. (A2 Televizion)