
Pas aksidentit tragjik në Spitallë të Durrësit, një tjetër shqetësim vjen nga banorët e zonës së Arapajt në Durrës. Pas shqetësimeve të vazhdueshme nga dy të rinj, ata kanë njoftuar se do të protestojnë sot në orën 10:00, në lagjen e tyre.
Sipas tyre, një 22-vjeçar dhe motra e tij 20-vjeçare, e cila vazhdon studimet për t’u bërë efektive policie, dyshohet se rreth dy javë më parë ka plagosur me thikë një komshie dhe e ka dhunuar fizikisht pas një konflikti për parkimin. Për këtë ngjarje, sipas banorëve, ekziston edhe një njoftim zyrtar i policisë i datës 26 prill, shkruan A2 CNN.
Banorët pretendojnë se dy të rinjtë lëvizin me shpejtësi në rrugët e ngushta të lagjes dhe kanë përplasur qëllimisht automjetet e fqinjëve, duke rrezikuar sigurinë e komunitetit, përcjell A2 CNN.
Rreth 20 familje kanë bërë denoncime të përsëritura në polici, por sipas tyre, situata jo vetëm që nuk është zgjidhur, por është përkeqësuar. Banorët kanë qëndruar për më shumë se 6 orë në komisariat për të kërkuar zgjidhje, por janë larguar pa marrë një përgjigje.
Për këtë arsye, ata kanë vendosur të dalin në protestë dhe u bëjnë thirrje mediave të jenë të pranishme për të pasqyruar situatën.
Njoftimi i banorëve
Në orën 10:00 banorët e Arapajt do të protestojnë në lagjen e tyre për një situatë të ngjashme me “Bishën”!
Një 22 vjeçar dhe motra e tij 20 vjeçe (kjo e fundit vazhdon studimet për efektive policie, por dy javë më parë ka plagosur me thikë komshien dhe e ka rrahur brutalisht për parkim- keni njoftim policie me datë 26 prill), janë persona problematik në zonë, duke ecur me shpejtësi në rrugica të banueshme dhe duke përplasur makinat e fqinjëve qëllimisht.
Pasi 20 familje i kanë denoncuar me dhjetëra herë në polici, por të rinjtë vazhdojnë dhe agravojnë sjelljen. Të ndjerë nën rrezik, banorët kanë qëndruar në rajon për mbi 6 orë gjatë ditës së sotme për këtë çështje dhe janë larguar pa asnjë përgjigje. Për këtë arsye do të protestojnë në lagjen e tyre në Arapaj dhe kërkojnë praninë e të gjithë mediave.
(A2 Televizion)