
Presidenti Donald Trump deklaroi se SHBA-ja do të ndalojë operacionin për të udhëhequr anijet e bllokuara përmes Ngushticës së Hormuzit. Sipas kreut të Shtëpisë së Bardhë pauza e "Projektit Liria", e cila filloi të hënën, erdhi për shkak të "Progresit të Madh" drejt një marrëveshjeje me Iranin.
"Me kërkesë të Pakistanit dhe vendeve të tjera, në dritën e suksesit të jashtëzakonshëm ushtarak të arritur gjatë fushatës kundër Iranit, dhe për më tepër, faktit se është bërë përparim i madh drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare me zyrtarët iranianë, ne kemi rënë dakord reciprokisht që, ndërsa bllokada mbetet plotësisht në fuqi dhe efektive, Projekti Liri (tranziti i anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit) do të pezullohet për një periudhë të shkurtër për të përcaktuar nëse marrëveshja mund të finalizohet dhe nënshkruhet", shkroi presidenti amerikan në Truth, shkruan A2 CNN.
Njoftimi erdhi vetëm disa orë pasi Sekretari i Shtetit Marco Rubio tha se operacioni luftarak kundër Iranit ka përfunduar dhe se SHBA-ja do të përqendrohen në Projektin Liria. Sipas tij ky projekt është mbrojtës dhe “nëse ata qëllojnë të parët, ne do të kundërpërgjigjemi."
"Është e qartë dhe të gjithë e kuptojnë se ky nuk është një operacion ofensiv. Ky është një operacion mbrojtës. Dhe kuptimi i kësaj është shumë i thjeshtë: nuk qëllon nëse ata nuk qëllojnë të parët", tha Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, duke folur për misionin e Projektit Liria në Iran. "Ne nuk po i sulmojmë ata. Nuk po e bëjmë këtë, por nëse ata do të sulmonin një anije, ne do të duhej të përgjigjeshim: nuk qëllon nëse ata nuk qëllojnë të parët. Dhe deri më tani kemi pasur sukses në këtë drejtim", shtoi Rubio, duke folur në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, raporton A2 CNN.
Media shtetërore iraniane ka reaguar duke deklaruar se Trump është “tërhequr” pas “dështimeve të vazhdueshme” për të rihapur rrugën ujore jetësore për transportin global detar.
Irani lavdëroi “dështimin e SHBA-së për të arritur objektivat e saj në të ashtuquajturin ‘Projekti i Lirisë’” në një deklaratë për INSA-n, një media shtetërore, pas njoftimit të Presidentit Donald Trump se po e ndalte përpjekjen.
“Irani lavdëroi dështimin e SHBA-së për të arritur objektivat e saj në të ashtuquajturin ‘Projekti i Lirisë’. Trump e anuloi operacionin pas qëndrimeve të forta dhe paralajmërimeve nga Irani”, thuhet në një deklaratë për INSA-n, një media shtetërore. (A2 Televizion)