Stuhia “Ciaran” prek edhe Shqipërinë, probleme me energjinë dhe bllokim të disa akseve rrugore

Nga A2 CNN
4 Nëntor 2023, 13:45 | Aktualitet

Reshjet e shiut kanë vijuar në të gjithë territorin e vendit edhe përgjatë natës, duke shkaktuar bllokime në disa akse rrugore në Shkodër, Dibër, Elbasan, Berat e Korçë.

Policia e Shtetit kaloi në gatishmëri prej të premtes në të gjithë vendin për të menaxhuar situatën ndërsa evidentoi si zona me rrezik më të lartë qarkullimi: Tiranën, Lezhën, Fushë Krujën, Durrësin dhe Elbasanin. Në Tiranë për disa minuta u bllokuan disa akse në afërsi të zonës së njohur si Pallati me Shigjeta, ku Lana doli nga shtrati duke bllokuar rrugë por dhe dëmtuar disa biznese.

Një grup prej 23 turistësh të huaj u evakuuan pa probleme, pasi u bllokuan në hyrje të kanionit të Langaricës për shkak të prurjeve të shumta të lumit.

Ministria e Mbrojtjes informoi se disa segmente rrugore janë bllokuar nga inertet dhe po punohet për lirimin e tyre, ndërsa në disa rrugë, pemët që ranë fatmirësisht nuk dëmtuan njerëz.

Reshjet e shiut krijuan probleme në furnizimin elektrik në Qarkun e Korçës, ku prej orësh dhjetëra fshatra dhe më tepër se 5600 familje janë pa energji elektrike. Për shkak të reshjeve të dendura të shiut u dëmtua ura e fshatit Panarit në bashkinë Korçë në njësisë administrative Vithkuq. Për pasojë mbetën të bllokuara 34 familje.

Në Vlorë të gjitha bashkitë nuk raportuan problem ndërsa energjia elektrike është ndërprerë në disa fshatra malorë, por që për të cilën po punohet.

Edhe qarku i Fierit u përfshi nga stuhitë e forta dhe reshjet e dendura të shiut. Në këtë qark raportohen vetëm problematika në furnizimin me energji elektrike. Reshjet bllokuan dhe disa akse  në Lezhë.

Sipas të dhënave zyrtare të Mbrojtjes Civile, kanë rënë rreth 50 mm shi të shoqëruara me erë, duke krijuar situatë problematike në zonën turistike të Shëngjinit. Gjithashtu nga moti i keq në Lezhë vijon të jetë i pezulluar lundrimi për të gjitha mjetet, ndërsa probleme ka dhe me furnizimin me energji elektrike kryesisht në fshatra.

Në Shkodër të tre segmentet e bllokuara nga rrëshqitjet e dheut në rrugën e Thethit tashmë janë të lira për qarkullim. Probleme të shumta ka pasur me furnizimin me energji elektrike kryesisht në Fushë Arrëz ku mbeten 892 abonentë pa energji, por edhe në Vukpalaj e Ramzë.

Edhe në Kukës ndërprerja e energjisë në disa njësi administrative po monitorohet nga ekipet e Operatorit të Shpërndarjes, ndërsa qarkullimi në Rrugën e Kombit është i lirë.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos