Pas zhurmës së madhe të tre ditëve të para, kur Policia sekuestroi qindra monopatina dhe gjobiti drejtuesit, efektivët nuk janë më në terren. As dje dhe as sot, në rrugët e Tiranës nuk është parë asnjë patrullë që të ndalojë përdoruesit e monopatinave.
Aksioni, i prezantuar si një masë për sigurinë rrugore, u shua po aq shpejt sa edhe nisi, duke ngjallur dyshime nëse ishte një vendim propagandistik apo një fushatë e nxituar pa asnjë plan konkret për zbatim afatgjatë. Nga vëzhgimi i kryer gjatë të enjtes dhe të premtes në pesë pikat ku patrullat e policisë ishin stacionuar më parë për të ndaluar monopatinat, këto pika tashmë nuk ekzistojnë më.
Nga ana tjetër, përdoruesit e monopatinave kanë vijuar normalisht përdorimin e tyre. Të vetmit që e kanë pësuar nga ky aksion i beftë tre ditor I policisë kanë qenë ata përdorues që u kapën nga e hëna deri të mërkurën dhe monopatinat apo skuterët elektrikë të të cilëve u sekuestruan dhe po mbahen të bllokuar nga policia rrugore. Gjithsesi reagimi i qytetarëve dhe opinionit publik e pati me sa duket një rezultat, pasi pas të mërkurës policia rrugore është tërhequr nga bllokimet.
Burime bëjnë me dije se pritet hartimi i një drafti që do të konsultohet me publikun, për të krijuar më pas një ligj për qarkullimin e monopatinave elektrike. Sipas ligjit të ri, monopatinat nuk do të ndalohen, por do të vendosen rregulla të qarkullimit dhe kufizime të shpejtësisë. (A2 Televizion)