
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i ka kërkuar Gjykatës Administrative transmetimin live të seancave gjyqësore. Në kërkesën e tij, kryebashkiaku i Tiranës, i cili ndodhet aktualisht në burgun e Durrësit, argumenton se ligji për gjykatat administrative garanton se seancat janë të hapura për publikun dhe se kjo duhet të zbatohet në mënyrë efektive.
Sipas tij, kufizimi vetëm në ndjekjen fizike të seancave, nuk përmbush standardin e transparencës që kërkon ligji.
Ai sjell si shembull praktikën e Gjykatës Kushtetuese, e cila transmeton live seancat, duke e konsideruar këtë si standard transparence që duhet ndjekur edhe nga gjykatat e tjera.
Kërkesa e Erjon Veliaj drejtuar Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë
I nderuar Gjyqtar,
Nga ana juaj është duke u gjykuar kërkesëpadia me palë dhe objekt si më poshtë: paditës: Erion Veliaj; Bashkia Tiranë; i paditur: Presidenti i Republikës së Shqipërisë; Ols Dado; person i tretë: Këshilli i Lartë i Prokurorisë; objekti:
“1. Konstatimin e pavlefshmërinë absolute të Dekretit të Presidentit të Republikës nr. 5936, datë 17.11.2008, për emërimin e z. Ols Dado në detyrën e prokurorit të Republikës së Shqipërisë.
2. Detyrimin e KLP të marrë vendim lidhur me përfundimin e statusit të magjistratit të z. Ols Dado dhe përfundimin e menjëhershëm të ushtrimit të detyrës prej tij.
3. Ngarkimin e të paditurve me shpenzimet gjyqësore.”
Lidhur me këtë proces, nëpërmjet kësaj kërkese, i drejtohem Gjykatës për të kërkuar që një parim themelor i këtij procesi, publiciteti i seancës, të realizohet në mënyrë të plotë dhe efektive, në përputhje me nenin 20 të ligjit nr. 49/2012 “Për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, të ndryshuar, i cili përcakton se shqyrtimi gjyqësor është i hapur për publikun. Kërkesa që paraqes nuk lidhet me ndryshimin e këtij statusi, por me mënyrën konkrete se si ky parim duhet të realizohet në praktikë.
Më konkretisht, kërkoj nga Gjykata që të lejojë praninë e një kamere të mediave për transmetimin e drejtpërdrejtë të çdo seance, ose, në alternativë, që vetë Gjykata të mundësojë transmetimin live të çdo seance përmes një sinjali institucional të kontrolluar prej saj, në mënyrë që publiku të ketë akses të drejtpërdrejtë në zhvillimin e procesit. Aktualisht, edhe pse seanca është e hapur, mundësia reale e publikut për ta ndjekur atë mbetet e kufizuar në mënyrë të ndjeshme. Prania fizike e një numri të kufizuar personash në sallë dhe e disa përfaqësuesve të mediave nuk mund të zëvendësojë aksesin e drejtpërdrejtë të qytetarëve në një proces që, sipas ligjit, është publik.
Në këto kushte, publiciteti rrezikon të mbetet më shumë formal sesa real. Për më tepër, ky proces nuk ka vetëm një dimension individual, por edhe një dimension të qartë publik. Natyra e kësaj mosmarrëveshjeje administrative e intensifikon në mënyrë të veçantë nevojën për transparencë. Objekti i gjykimit lidhet me kontrollin e ligjshmërisë së një akti të Presidentit të Republikës dhe, përmes tij, me vlefshmërinë e ushtrimit të kompetencave publike nga një subjekt që ka vepruar si prokuror i Republikës.
Ky akt përbën bazën mbi të cilën janë ndërmarrë veprime që kanë prodhuar efekte të drejtpërdrejta mbi të drejtat dhe liritë themelore të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, si dhe mbi ushtrimin e mandatit tim kushtetues dhe funksionimin e institucionit unë përfaqësoj, në cenim të parimit të autonomisë vendore dhe sovranitetit të qytetarëve.
Në këto kushte, interesi i publikut për të ndjekur zhvillimin e këtij gjykimi është objektivisht më i lartë dhe më i intensifikuar. Kjo nuk krijon asnjë të drejtë shtesë për mua si palë në proces, por rrit nivelin e transparencës që duhet të garantohet nga vetë Gjykata.
Kufizimi i aksesit të publikut vetëm në një prani fizike të kufizuar, pa mundësinë e ndjekjes së drejtpërdrejtë të seancës, si dhe prania e kufizuar e medias pa mundësi transmetimi, rrezikon të dobësojë funksionin e publicitetit si instrument kontrolli publik dhe të cenojë perceptimin e besimit në drejtësi.
Në këtë fazë të procesit, çështja lidhet me vetë thelbin e garancive procedurale që garantojnë një gjykim të drejtë. Ajo që vihet në diskutim është nëse parimi i publicitetit, i sanksionuar në nenin 20 të ligjit nr. 49/2012, realizohet në mënyrë efektive, apo mbetet në nivel formal. Vetë ligji parashikon se kufizimi i publicitetit është përjashtim dhe lejohet vetëm në raste të caktuara, të lidhura me mbrojtjen e moralit publik, rendit publik, sigurisë kombëtare, sekretit tregtar, jetës private apo të drejtave vetjake. Në rastin konkret, nuk rezulton të ekzistojë asnjë nga këto rrethana që do të justifikonte një kufizim të tillë.
Në këtë kuptim, si dhe duke qenë se gjykimi nuk prek vetëm interesin tim individual si paditës, por edhe interesin publik për të verifikuar nëse roli i akuzës është ushtruar nga një organ i ligjshëm dhe në përputhje me kriteret e detyrueshme ligjore, ky proces duhet të jetë realisht publik. Në të njëjtën linjë, duhet theksuar se sistemi ynë juridik e njeh dhe e aplikon tashmë transmetimin e drejtpërdrejtë të seancave gjyqësore në rastet kur ato janë publike. Në veçanti, në Gjykatën Kushtetuese, seancat që nuk zhvillohen me dyer të mbyllura transmetohen live për publikun, si një mjet për të garantuar transparencë reale dhe akses të drejtpërdrejtë të qytetarëve në procesin gjyqësor.
Kjo praktikë tregon se transmetimi nuk cenon zhvillimin normal të gjykimit, por përbën një instrument të ligjshëm dhe të përshtatshëm për realizimin efektiv të publicitetit. Në këto kushte, lejimi i transmetimit të drejtpërdrejtë, qoftë përmes një kamere të vetme të mediave, qoftë përmes një sinjali institucional të kontrolluar nga vetë Gjykata, përbën mjetin e vetëm efektiv për të garantuar që publiciteti i gjykimit të mos mbetet formal, por të realizohet në mënyrë të plotë dhe reale.
Për këto arsye, kërkoj nga Gjykata që të lejojë transmetimin live të seancës gjyqësore, në përputhje me nenin 20 të ligjit nr. 49/2012 dhe me interesin e lartë publik që kjo çështje përfaqëson. Lejimi i transmetimit të drejtpërdrejtë nuk është çështje zgjedhjeje, por detyrim për Gjykatën, për të siguruar që publiciteti i gjykimit të realizohet në mënyrë efektive dhe jo vetëm formale. (A2 Televizion)