Temperaturat nën zero gradë Celsius në qarkun e Korçës gjatë muajit prill dëmtuan shumë fermerë që kultivojnë drufrutorë në atë zonë, shkruan A2 CNN. E ndërsa shumica e fermerëve deklaruan dëme të konsiderueshme për shkak të temperaturave, ka fermerë në atë zonë që jo vetëm i shpëtuan parcelat e tyre me drufrutorë, por pemët janë të shëndetshme dhe pritet të japin prodhim të mbarë.
Arben Likollari, një fermer që kultivon prej vitesh mollën, tregon se si e shpëtoi pemëtarinë e tij nga temperaturat ekstreme në mesin e pranverës. “Kur na jepen parashikimet e motit për situatat që temperaturat bien nën zero gradë, fillojmë të marrim masat paraprake për t’u mbrojtur”, thotë ai për A2 CNN. “Një nga këto fenomene është trajtimi i mollës 4-5 ditë para se të fillojë ulja e temperaturës, me stimulantë, në mënyrë që bima të krijojë rezitencë kundër ngricës. Masa të tjera janë edhe puna që kë bërë gjatë vitit të mëparshëm, si e ke trajtuar pemën”.
Shembulli i Likollarit tregon se vetëm dëshira për të kultivuar prodhime bujqësore nuk mjafton që të kesh sukses dhe të sigurosh të ardhura. Një fermer i kujdesshëm arrin t’i bëjë ballë edhe kapriçove të motit, mjafton të marrë informacionin e duhur. (A2 Televizion)