Virozat gripale, ja çfarë u shkakton fëmijëve përdorimi pa kriter i antibiotikëve

Nga Armend Pire
31 Janar 2026, 17:57 | Aktualitet

Ngutja e prindërve për të përdorur antibiotikë tek fëmijët, pa u konsultuar më parë me mjekun pediatër, mund të shoqërohet me pasoja afatgjata për shëndetin e tyre. Antibiotikët janë thelbësorë në luftimin e infeksioneve bakteriale dhe kanë shpëtuar miliona jetë, por njëkohësisht dëmtojnë edhe bakteret e mira të organizmit.

E ftuar në studion e emisionit “Diagnozë”, nga autorja dhe moderatorja Freskida Miloti, Dr. Sonila Shala Boriçi, mjeke pneumo-alergologe pediatre, theksoi se përdorimi pa kriter i antibiotikëve çon në rezistencë bakteriale, duke ulur ndjeshëm efektivitetin e tyre në të ardhmen.

"Antibiotik nga vetë fjala thotë kundër gjërave të gjalla, domethënë antibiotiku vret gjallesat që janë bakteret e këqija, por njëkohësisht vret dhe bakteret e mira. Përdorimi i një antibiotiku të panevojshëm shkatërron bioflorën që është esenciale për jetesën normale dhe zhvillimin normal të funksioneve trupore, kështu që në këto rrethana ne bëjmë një dëm shumë më të madh dhe në anën tjetër bakteret të cilat gjenden në organizëm janë gjallesa inteligjente, jetojnë në tokë që kur ka filluar jeta në tokë dhe kanë arritur t'i përballojnë gjitha sprovat. Në këtë prizëm ato krijojnë mjetet e veta të rezistencës, adaptohen dhe në një moment të dytë kur ne të kemi nevojë për të përdorur realisht një antibiotik, këto antibiotikë nuk do funksionojnë dhe do jetë shumë e vështirë për zhduk këto baktere të cilat kanë krijuar ato mekanizmat mbrojtës dhe kanë krijuar atë rezistencën për të cilën ne po flisnim." - shpjegoi mjekja, shkruan A2CNN.

Në periudhën e virozave respiratore te fëmijët, prindërit shpesh konfuzohen nëse janë përballë një gripi apo një alergjie. Marrja e medikamenteve pa recetë mund të mos përmirësojë gjendjen, për shkak të një trajtimi të gabuar dhe mungesës së një diagnoze të saktë. Por si mund të bëhet dallimi mes gripit, infeksioneve respiratore dhe alergjive?

"Kjo ndodh te grupmosha e fëmijëve zero deri në pesë vjeç. Infeksionet respiratore shkojnë paralel me problemet alergjike dhe mund të themi që në këtë grupmoshë ato bashkëshoqërojnë njëra-tjetrën dhe janë shumë shpesh infeksionet respiratore ato që nxjerrin në pah mundësinë e një problemi alergjik. Sidomos virozat që ne i shohim tani në periudhën e dimrit, ato nxisin simptoma, kështu që vetë infeksioni viral shërben si triger, por edhe si një sinjal alarmi që këtu mund të kemi një komponent alergjik. Në këto raste, nëse ne kemi fenomene të përsëritura të tilla, atëherë kjo është një sinjal edhe për mjekët edhe për prindërit, nëse ky problem alergjik pastaj evidentohet, sigurisht që fillohet një mjekim parandalues profilaktik, pasi parandalimi është gjithmonë më mirë sesa kurimi." - shtoi mjekja. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos