Garantimi i sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare, përmes shkëmbimit të informacioneve, ishin kryefjalë e takimeve të nivelit të lartë që shefja e SHISH, Vlora Hyseni, zhvilloi gjatë një vizite zyrtare disa-ditore në Uashington.
Takimi me kreun e CIA-s dhe zyrtarë të lartë të inteligjencës amerikane, ishin pjesë e axhendës, që si rrallë herë u shoqërua edhe me një njoftim për shtyp.
Shefja e shërbimit sekret shqiptar, Vlora Hyseni, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Uashington, në datat 15-17Maj, ku u takua me zyrtarë të lartë të Zyrës së Inteligjencës Kombëtare të SHBA(ODNI), të Departamentit të Shtetit dhe të CIA-s, Agjencisë Qendrore të Inteligjencës.
Takime të tilla rrallë herë bëhen publike, gjë që e bën edhe më të veçantë njoftimin për media të shfaqur në faqen online të Shërbimit Informativ Shtetëror, sidomos duke mbajtur në konsideratë praktikën teksteve të rakorduara me palën tjetër, në atë që i bëhet me dije publikut.
“Në takimin me znj.Tulsi Gabbard, Drejtoreshën e Inteligjencës Kombëtare të SHBA, u diskutuan çështje të bashkëpunimit dhe sfidat në fushën e inteligjencës e sigurisë, me interes për sigurinë kombëtare të dy vendeve tona. U shkëmbyen vlerësime mbi zhvillimet me impakt në sigurinë rajonale e ndërkombëtare, angazhimin konstruktiv e konkret për sigurinë kolektive, duke konsideruar SHISH si partner të besueshëm dhe Shqipërinë si faktor stabiliteti në rajon”.
Drejtorja e SHISH, gjatë vizitës zyrtare në Uashington, takoi edhe kreun e CIA-s, John Ratcliffe.
“Me Drejtorin e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës së SHBA, u diskutuan një sërë çështjesh të bashkëpunimit dypalësh, ku u theksua partneriteti i shkëlqyer me SHISH në interes të identifikimit dhe parandalimit të kërcënimeve të përbashkëta. U shkëmbyen vlerësime mbi situatën e sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare, u diskutua mbi thellimin e bashkëpunimit, si dhe rritjen e kapaciteteve të inteligjencës”.
Njoftimi për shtyp i SHISH mbyllet duke theksuar se vizita në SHBA e drejtores Hyseni, dëshmon përkushtimin e agjencive respektive për të mbështetur me inteligjencë cilësore dhe paralajmëruese autoritetet e vendimmarrjes strategjike të dy vendeve, për të garantuar sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare.
(A2 Televizion)