
Mëngjesin e sotëm, 27 banesa në fshatin Ferras janë përmbytur si pasojë e daljes nga shtrati të lumit Vjosë, ndërsa sipërfaqe të tëra tokash bujqësore ndodhen nën ujë.
Banorët pohojnë se situata nisi të bëhej alarmante që nga mbrëmja e djeshme, duke i detyruar ata të nxjerrin në rrugë bagëtitë dhe mjetet bujqësore për t’i shpëtuar nga përmbytjet.
Sipas kryeplakut të fshatit, Zani Hyka, gjendja paraqitet e rënduar për momentin. Nga 27 banesat e përmbytura, 15 janë të banueshme, ndërsa është kërkuar evakuimi i një banori të sëmurë, i cili do të strehohet në banesat sociale të Bashkisë Fier, shkruan A2 CNN.
Ndërkohë, problem madhor mbetet kolektori i Martinës, i cili ka arritur kuotat maksimale. Nëse del nga shtrati, rrezikohen rreth 160 familje në zonë.
Banorët shprehen të alarmuar, duke theksuar se një situatë e tillë nuk është parë prej më shumë se 6 vitesh.
Në terren ndodhen strukturat e emergjencave civile, ndërsa për shkak të përkeqësimit të situatës kanë mbërritur edhe forcat e ushtrisë, të cilat po monitorojnë zonën dhe janë në gatishmëri për ndërhyrje të mëtejshme. (A2 Televizion)