Vodhën të paktën 15 shtetas duke marrë kredi në emër të tyre, dërgohen për gjykim 5 persona

Nga A2 CNN
27 Korrik 2024, 10:29 | Aktualitet

Prokuroria e Tiranës ka dërguar në gjyq pesë persona të cilët nëpërmjet mashtrimit vodhën të paktën 15 shtetas duke marrë kredi në emër të tyre dhe përvetësuar paratë.

Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, përfshi dhe një notere, këta persona duke përdorur gënjeshtrën dhe shpërdorimin e besimit, kanë përvetësuar shumat e kredive të marra të paktën nga 15 persona që kanë bërë kallëzim penal duke i mashtruar dhe duke ju përvetësuar shumat monetare.

Njëri prej tyre ka shtyrë të dëmtuarit nga kjo veprimtari kriminale që të hapnin llogari bankare në emër të tyre, ku janë transferuar shumat monetare të marra nëpërmjet kredive bankare. Po kështu, nëpërmjet gënjeshtrës dhe shpërdorimit të besimit ka siguruar kopje të dokumenteve të identifikimit për personat e dëmtuar dhe pa dijeninë e tyre, ka bërë të mundur realizimin e dosjeve të kredisë dhe kontratave të kredisë, në institucionin financiar ‘Fondi Besa’ sh.a, duke bërë të mundur çeljen e kredive, disbursimin dhe transferimin e shumave monetare në llogaritë bankare të personave të dëmtuar, tërheqjen e shumave dhe përvetësimin e tyre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos