“Sot paraqesim një buxhet që e vendos bujqësinë në shinat e anëtarësimit”. Kështu u shpreh Andis Salla, ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
16,2 miliardë lekë do të jetë buxheti për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, me një diferencë prej afro 1,6 miliardë lekë, apo 11 për qind më shumë se një vit më parë. Nga Komisioni për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural, ministri Andis Salla tregoi edhe shtyllat kryesore mbi të cilat bazohet ky buxhet, shkruan A2.
“Katër do të jenë shtyllat mbi të cilat ndërtohet buxheti. Zhvillimi i qëndrueshëm i bujqësisë dhe zonave rurale; Siguria ushqimore; Zhvillimi i qëndrueshëm i peshkimit dhe ekonomisë blu. Dhe së fundi, kapacitetet, bashkëpunimi, inovacioni dhe digjitalizimi”, tha Salla, shkruan A2.
Në projektbuxhetin 2026 parashikohet që fermerëve t’u shpërndahen 5.2 miliardë lekë në formën e subvencioneve dhe granteve. Teksa nga kompensimi 10% i TVSh për inputet bujqësore mbështetja për fermerët llogaritet çdo vit në vlerën e 1.5 miliardë lekëve.
“Me hapjen e negociatave për Cluster-in 5-të, Kapitujt 11, 12 dhe 13 në nëntor, çdo lek që planifikojmë shkon për të mbyllur hendekun me BE-në, jo vetëm për të shpenzuar, por për të dorëzuar standarde dhe për të hapur rrugën e financimeve pas-anëtarësimit në 2030. Ky s’është thjesht buxhet, por është instrument negociatash”, tha Salla.
Programi i dytë buxhetor sipas ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural është ai i sigurisë ushqimore, i cili ka një vlerë prej 2,9 miliardë lekë për vitin 2026 ose një rritje prej 12,1%: “Prioritetet tona për vitin 2026 janë: forcojmë laboratorin e Referencës Kombëtare dhe 7 laboratorët rajonalë të shëndetit të kafshëve, shëndetit të bimëve dhe sigurisë ushqimore. Rrisim kapacitetet analitike, zgjerojmë gamën e testeve të akredituara, sigurojmë mirëmbajtjen periodike të tyre. Kjo e bën sistemin të besueshëm dhe rrit potencialin eksportues të produkteve bimore duke mundësuar edhe hapjen e tregjeve për produktet shtazore”.
Ministri Salla bëri edhe një bilanc të ecurisë së skemës së investimeve. Ai tha se janë regjistruar mbi 800 aplikime, që do të vazhdojnë të zbatohen edhe gjatë vitit 2026, duke sjellë të paktën 2 miliardë lekë investime në modernizimin e sektorit, ose 27% më shumë se një vit më parë. (A2 Televizion)
