Buxheti i Mjedisit në 2026. Fati i inceneratorëve dhe menaxhimi i mbetjeve, kryefjala e diskutimeve

Nga Marjo Brakaj
12 Nëntor 2025, 19:54 | Ekonomi

“Pse nuk vihet në funksion inceneratori i Elbasanit?”, pyeti Blendi Himçi, deputet i PD-së.

Fati i inceneratorëve dhe menaxhimi i mbetjeve u bënë kryefjala e diskutimeve në Komisionin për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, teksa ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, prezantonte projektbuxhetin e vitit të ardhshëm. Opozita kërkoi informacion nëse do të riparohet defekti në impiantin e Elbasanit, që prej 2023-shit nuk punon, shkruan A2.

“Vënia në punë inceneratorit është e domosdoshme. Duhet një vlerësim, një inspektim nga ana e Ministrisë suaj se cila është gjendja e inceneratorit? Ju flisni për hua dhe kredi, por janë shumë lekë të hedhura dhe tani nuk mund t’i hedhim inceneratorët për skrap”, tha deputeti Himçi.

Sofjan Jaupaj tha: “Ministrisë së Mjedisit, nëpërmjet Qeverisë Franceze, i është alokuar një financim për të bërë studimin e fizibilitetit dhe vlerësuar edhe impiantin e trajtimit të mbetjeve të Qarkut Elbasan. Për të parë gjithë elementet teknikë që përmenden edhe nga kompania e menaxhimit të këtij impianti, në mënyrë pastaj që të dalë me një rezultat final sa i takon edhe mbështetjes financiare për elementin e riparimit. Ky studim do të fillojë në janar dhe do të bëhet edhe nëpërmjet vizitave dhe inspektimeve në terren për këtë element”.

Po ashtu, një tjetër studim po bëhet edhe për të zgjeruar landfillet Elbasan dhe Fier: “Nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Ekonomisë së mbetjeve ka proceduar me hartimin e projekteve ose më saktë me procedurën për hartimin e projekteve të zgjerimit të landfilleve të Elbasanit edhe të Fierit”.

Në total, për menaxhimin e mbetjeve në vitin që vjen do të përdoren 16 milionë euro, nga të cilat 6 milionë euro janë pjesë e buxhetit të ministrisë ndërsa 10 milionë euro janë transfertë për bashkitë e vendit.

Vullnet Sinaj, deputeti i PS, tha: “Pse nuk kemi transfertë të pakushtëzuara dhe për këto bashkitë e tjera, Vlorën ishte zero për këto për mbetjet, Finiqi zero, Konispoli zero, Selenica zero”.

Gati 32,3 milionë euro do të ketë në dispozicion Ministria e Mjedisit për të shpenzuar në vitin e ardhshëm për menaxhimin e mjedisit, pyjeve, mbetjeve dhe për administrimin e institucionit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos