
Forcimi i dialogut me bizneset britanike që operojnë në Shqipëri ishte kryefjala e takimit të zhvilluar në kuadër të nismës “Investor Support Days 2025”, AIDA, në bashkëpunim me Dhomën Britanike të Tregtisë në Shqipëri (BCCA), të cilat organizuan “Ditën e Investitorëve të Mbretërisë së Bashkuar”.
Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të kompanive me kapital britanik, institucioneve shtetërore dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Diskutimet u përqendruan në mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, si dhe në identifikimin e sfidave që hasin investitorët britanikë në tregun vendas. Përfaqësuesit e kompanive ndanë përvojat e tyre mbi mjedisin e investimeve në Shqipëri, duke vlerësuar potencialin e lartë që ofron vendi, por edhe duke theksuar nevojën për përmirësimin e disa aspekteve që lidhen me procedurat administrative dhe qartësimit te kuadrit ligjor.
Drejtoresha Ekzekutive e AIDA-s, znj. Laura Saro, theksoi se vëllimi i tregtisë mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe po rritet ndjeshëm, duke nxitur interes për investime të reja, veçanërisht në energjinë e rinovueshme, shëndetësi dhe transport.
Në fjalën e tij, Zv. Ministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, z. Enkelejd Musabelliu, theksoi se përputhja graduale e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian nbetet një element kyç për forcimin e besimit të investitorëve të huaj.
Të pranishmit, e veçanërisht znj. Julia Sutherland, Zv. Ambasadore e Britanisë, shprehën vlerësimin për këtë nismë të AIDA-s duke përcjellë mirënjohje dhe mbështetje të plotë për nismat që synojnë forcimin e klimës së investimeve në Shqipëri.
Ky takim konfirmon vullnetin e përbashkët për të forcuar marrëdhëniet tregtare dhe investuese mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar. (A2 Televizion)
