Çdo shqiptar që i kaloi pushimet jashtë vendit në fillim të vitit shpenzoi mesatarisht 297 euro. Në krahasim me një vit më parë, shpenzimet rezultojnë të jenë pakësuar me 15 euro.
Krahasuar me turistët e huaj që vizitojnë vendin, pushuesit shqiptarë shpenzojnë gati gjysmën.
“Shqiptarët shpenzojnë me pushime. Në përllogaritjen e Bankës së Shqipërisë janë vetëm kostot e transportit dhe akomodimi. Mund të them me bindje që shqiptarët nuk janë pushues të lirë”, tha Fjorida Zani, operatore turistike.
Po ku shkojnë shqiptarët që shpenzojnë kaq pak para?
“Preferohet shumë Italia, me Caprin dhe Spanja me Barcelonën. Mbesin gjithashtu të synuara edhe destinacionet tradicionale si Turqia.”
Duke shfrytëzuar biletat e lira nga linjat ajrore “low cost”, shqiptarët zgjedhin kryesisht dy mënyra për të kaluar pushimet.
“Të rinjtë preferojnë kryesisht të ikin individualisht, kurse të rriturit dhe të moshuarit me grupe ose ture.”
Në tre muajt e parë të vitit rreth 1.7 milionë shqiptarë udhëtuan jashtë, pjesa më e madhe e tyre më shumë se sa një herë. Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se ata shpenzuan 521 milionë euro nga 435 milionë një vit më parë. (A2 Televizion)