Dëshira është e madhe, gatishmëria po ashtu... por bizneset shqiptare nuk ndihen ende gati për të konkurruar me sipërmarrjet europiane. Teksa vendi përpiqet të anëtarësohet në Bashkimin Evropian brenda vitit 2030, bizneset e vogla dhe të mesme kërkojnë ndihmë, shkruan A2 CNN.
“E para, mbështetje me pjesën logjistike dhe të dijes dhe e dyta duhet me patjetër financim për të suportuar sipërmarrjen private në ndërgjegjësim, kapital apo dije. Duhet gjithashtu ndërgjegjësimi dhe përgatitja e kapitalit human që në mendimin tim është kushti më i rëndësishëm”, tha Nikolin Jaka, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë.
Përndryshe marrja e dritës jeshile për kapitullin 20 pas takimit të pestë ndërqeveritar të zhvilluar të enjten “bëhet mision gati i pamundur”. “I cili flet për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, për ndërmarrjet në përgjithësi... për konkurrueshmërinë, inovacionin apo investimet e huaja apo shqiptare. Pra është një kapitull shumë i rëndësishëm”, tha Gravil Lasku, drejtues i Programit Italian për Financimin e SME.
Për t’i dhënë një dorë bizneseve të vogla dhe të mesme shqiptare po mendon Italia, e cila ka vënë në dispozicion një fond prej 30 milionë eurosh. Secila sipërmarrje mund të aplikojë për financim deri në 500 mijë euro me norma të ulëta interesi. “Unë vetë i kam kaluar 12 vite e fundit të jetës në Itali dhe ja e sigurt se Italia ka standarde të larta. Do na japë shumë ndihmë”, tha Blerta Rama, zëvendësministre e MEKI.
Programi i përbashkët i Qeverisë Shqiptare dhe asaj Italiane, ka në fokus zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, me anë të ndërhyrjeve të cilët synojnë krijimin e një ambienti të favorshëm dhe lehtësimin e qasjes në kreditim bankar, për të përmirësuar teknologjinë dhe rritur konkurrueshmërinë në tregun lokal dhe ndërkombëtar, ndërmjet inovacionit teknologjik dhe përmirësimit të standardeve të prodhimit. (A2 Televizion)