Hyn në fuqi vendimi i qeverisë për faljen e gjobave, si të përfitoni

Nga Marjo Brakaj
21 Maj 2025, 14:41 | Ekonomi

Hyn në fuqi vendimi i qeverisë për faljen e gjobave, si të

Hyn në fuqi vendimi i qeverisë për faljen e gjobave për periudhën nga 1 janari 2015 deri më 30 nëntor 2024. Vendimi i botuar në Fletoren Zyrtare përcakton procedurat që duhet të ndiqen nga institucionet për realizimin e procesit të shfuqizimit të masave administrative të paekzekutuara, të përcaktuara te ligji nr.127/2024, i miratuar në dhjetor të 2024-s, shkruan A2 CNN.

Vendimi u miratua nga Këshilli i Ministrave 3 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, ndërkohë në nenin 3 të ligjit 127/2024 përcaktohej si afat miratimi i tij 10 ditë pas hyrjes në fuqi të ligjit.

Qytetarët do të kenë 30 ditë kohë për të kërkuar fshirjen e gjobave. Në vendim përcaktohet se të gjitha institucionet përkatëse, përfshirë Inspektoratet Vendore të Mbrojtjes së Territorit, Policinë Bashkiake, IKMT-në, AKU-në, Inspektoratin Shëndetësor dhe Policinë e Shtetit, kanë detyrimin që brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e vendimit të përgatisin dhe dërgojnë listat e subjekteve ndaj të cilëve janë vendosur masa administrative të paekzekutuara dhe që përfshihen në falje.

Këto lista miratohen nga titullarët përkatës dhe i kalohen njësive të vetëqeverisjes vendore ose strukturave përgjegjëse për fshirjen e detyrimeve nga regjistrat dhe sistemet zyrtare. Vendimi përcakton se procesi i heqjes/fshirjes nga lista e subjekteve të debitorëve përfundon brenda 60 ditëve nga hyrja në fuqi e tij, me përjashtim të rastit të parashikuar në pikën 3, të kreut III, për të cilin afati i përfundimit të procesit është 80 ditë.

Shpenzimet administrative për realizimin e procesit të heqjes/fshirjes së masave administrative të paekzekutuara dhe të shfuqizuara me ligjin nr. 127/2024, të kryera sipas këtij vendimi, përballohen nga secili institucion.

Falja e gjobave erdhi si propozimi i 35 deputetëve socialistë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos