500 milionë lekë për fermerët, miratohet skema kombëtare e investimeve, nis nga muaji tetor 

Nga Marjo Brakaj
18 Shtator 2024, 14:32 | Ekonomi

Për sezonin e dytë të të mbjellave bujqit do të kenë ca para të tjera në dispozicion. Pas vendimit të qeverisë, muajin tjetër pritet të çelet Skema Kombëtare e Investimeve në ferma, shkruan A2 CNN. Ndryshe nga ajo skema tradicionale në Bujqësi dhe Blegtori, paratë do të shpërndahen për ndërtimin e serave të mbrojtura nga breshëri, por pas nuk do mbeten as investimet edhe për blegtorinë.

“Skema ka një buxhet, i cili për këtë vit fillon me 500 milion lekë, një buxhet i siguruar nga Akti Normativ i miratuar ditën e enjte në Parlamentin e Shqipërisë, por do të vijohet të paguhet edhe përgjatë vitit që vjen. Është e rëndësishme që me anonçimin e kësaj skeme në muajin tetor shpresojmë, që data 1 tetor të jetë data ku të gjithë aplikimet të merren në pikat tona agro nëpërmjet institucionet që do t’a menaxhoj këtë dhe do të jetë AZHBR”, tha ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj.

Me programin IPARD të Bashkimit Europian, të pezulluar, fermerëve dhe sipërmarrësve shqiptarë në sektorin bujqësor do iu vihet në ndihmë me një fond gjysmën e vlerës së financimit. “Për sa i takon serrave diellore masa e përfitimit do të jetë jo më shumë se 15 milion lekë/ha për serrat e prodhimit të perimeve, 8 milionë lekë për ha për serrat e prodhimit të rrushit në tavolinë, 4 milionë lekë/ ha për serrat tunelet plastike të prodhimit të luleshtrydheve”, tha Denaj.

Referuar të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, këtë vit skema Kombëtarë në Bujqësi dhe Blegtori regjistroi një numër total prej 71.537 aplikimesh. Fondi në dispozicion rezultoi i mjaftueshëm vetëm për 72 për qind të fermerëve në total. Pjesa tjetër pritet të përfitojë nga Skema Kombëtare të Investimeve, që veç bujqësisë dhe blegtorisë përfshin edhe peshkimin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos