
Shqipëria vë në dispozicion mbi 5.4 milionë euro (520 milionë lekë) për të blerë një pronë në Londër që do të shërbejë si seli e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, së bashku me Ambasadën në Londër, do të kryejnë procedurat përzgjedhëse për të identifikuar ndërtesën dhe truallin më të përshtatshëm për aktivitetin diplomatik dhe konsullor. Pasuritë e propozuara duhet të jenë të sigurta, të lira nga çdo ngarkesë ligjore dhe të ofrojnë hapësirën e nevojshme për funksionimin e Ambasadës.
Vlerësimi i ofertave do të bëhet nga një Komision i Posaçëm, në përbërje të të cilit janë përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, Autoritetit Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar dhe Avokaturës së Shtetit. Komisioni do të shqyrtojë ofertat, do të mbikëqyrë negociatat dhe do të propozojë ofertën fituese
Pas nënshkrimit të kontratës së shitblerjes, Ambasada do të kryejë pagesat dhe do të regjistrojë pasurinë sipas legjislacionit britanik. Shpenzimet do të mbulohen nga buxheti i Ministrisë. (A2 Televizion)