Të huajt do mund të blejnë tokë bujqësore në Shqipëri, 7 vite pasi vendi të jetë anëtarësuar në Bashkimin Evropian.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka hedhur për konsultim publik projektligjin “Për kalimin në pronësi të tokës bujqësore tek personat fizikë dhe juridikë të huaj”: “Me miratimin e këtij projektligji synohet të krijohet një kuadër i qartë dhe i qëndrueshëm ligjor për kalimin në pronësi të tokës bujqësore te personat fizikë dhe juridikë të huaj, në mënyrë që të sigurohet përdorimi racional, zhvillimi i qëndrueshëm dhe rritja e investimeve në sektorin bujqësor të Republikës së Shqipërisë. Ky ligj synon të garantojë balancë mes interesit publik kombëtar dhe nxitjes së investimeve të huaja në bujqësi, duke mbrojtur tokën si pasuri dhe burim strategjik kombëtar”.
Veç qytetarëve, tokë bujqësore në Shqipëri do mund të blejnë edhe kompanitë e huaja: “Filialet dhe degët e shoqërive komunitare gëzojnë gjithashtu të drejtën për të fituar dhe fituar të drejta pronësie mbi pasuritë e patundshme ashtu si shoqëritë shqiptare, si edhe për sa u përket të mirave publike me interes të përbashkët, kur këto të drejta konsiderohen të nevojshme për kryerjen e veprimtarive ekonomike për të cilat ato janë themeluar, duke përjashtuar burimet natyrore, tokat bujqësore, pyjet, tokat pyjore. Shtatë vjet pas hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshje, Këshilli i Stabilizim-Asociimit do të vendosë modalitete për shtrirjen e te drejtave sipas këtij paragrafi dhe në sektorët e përjashtuar”.
Pas fitimit të pronësisë, projektligji përcakton se subjektet e huaja janë të detyruara “ta përdorin tokën vetëm për veprimtari bujqësore dhe blegtorale” dhe “të mos ndryshojnë kategorinë ose destinacionin e përdorimit të tokës bujqësore”: “Sipas legjislacionit për ndarjen e tokës janë trajtuar me tokë bujqësore në pronësi rreth 445 mijë familje bujqësore. Relacion shpjegues për projektligjin “Për kalimin në pronësi të tokës bujqësore tek personat fizikë dhe juridikë të huaj. Në draftligjin e hartuar është parashikuar dhe kalimi i se drejtës së pronësisë për personat fizike dhe juridike të huaj për tokën bujqësore të emërtuar si “ tokë bujqësore e pandarë”, që aktualisht në vendin tonë shtrihen në një sipërfaqe prej rreth 100 mije ha, kaluar në administrim të njësive të pushtetit vendor”.
Në rast të mosrespektimit të detyrimeve, autoritetet kompetente “kanë të drejtë të marrin masa sipas legjislacionit në fuqi, përfshirë revokimin e së drejtës së pronësisë ose vendosjen e sanksioneve administrative”.
Projektligji përcakton se procedurat, afatet dhe dokumentacioni për trajtimin e kërkesave do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave (A2 Televizion)