Ana ekonomike e raportit të progresit, Shqipëria “ngel në klasë” te informaliteti, prokurimet e pastrimi i parave

Nga Marjo Brakaj
30 Tetor 2024, 17:16 | Ekonomi

Nga informaliteti te pastrimi i parave, bashkë me prokurimin publik apo kontrollin financiar... Në raportin analitik për vitin e fundit, Komisioni Europian ngel Shqipërinë në klasë. Kritika të forta ka te “prokurimet publike” dhe gishti tregues i fajit i “unionit” drejtohet te qeverisja.

Kalimi i kompetencave te Këshilli i Ministrave për negocime pa garë për komisionin “bien ndesh me marrëveshjen e Asocim-Stabilizimit”, shkruan A2 CNN.

“Dispozita të ndryshme në ligjin e miratuar që lejojnë Këshillin e Ministrave, për një periudhë prej 3 vjetësh, të autorizojë institucionet e qeverisë qendrore për të negociuar dhe arritur marrëveshje ndërkombëtare këshillimi në “fusha të interesit strategjik” dhe kështu t’i përjashtojë ato nga hapja e konkurrencës, ngre shqetësime për përputhshmërinë e saj me acquis-in e BE-së dhe me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit”, lexohet në raport.

Me gjithë hapat para, Komisioni Europian vlerëson se Shqipëria duhet të punojë më fort dhe shpejt në drejtim të parandalimit të pastrimit të parave: “Shqipëria është midis një niveli të caktuar dhe një niveli të moderuar përgatitjeje për t'u përputhur me acquis-in e BE-së në këtë fushë. U arrit disi përparim në përmbushjen e rekomandimeve të vitit të kaluar duke rritur kapacitetin e SPAK për hetimet financiare, forcuar luftën kundër pastrimit të parave dhe sekuestrimin e aseteve të lidhura me krimin e organizuar. Shqipëria duhet të vazhdojë punën për të siguruar pavarësinë e agjencive të saj të zbatimit të ligjit.”

“Lupës” që skanon ecurinë e Shqipërisë në një vit në drejtim të demokracisë, sundimit të ligjit dhe forcimit të ekonomisë nuk i ka shpëtuar abuzimi me fondet IPARD të Bashkimit Europian: “Përsa i përket zhvillimit rural, zbatimi i programit IPARD II vazhdoi. Megjithatë, nevojitet një rritje e ndërtimit të kapaciteteve dhe mbikëqyrjes për të siguruar përfundimin e programit IPARD II dhe për të filluar zbatimin efikas të IPARD III në përputhje të plotë me parimet e menaxhimit të shëndoshë financiar.”

Shqipëria ka marrë kritika nga Komisioni Europian edhe në drejtim të “kontrollit financiar”.

“Sistemi i kontrollit të brendshëm është vetëm pjesërisht efektiv”, vlerëson komisioni duke vënë në dukje se menaxhimi i riskut lë për të dëshiruar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos