Ministrja virtuale e qeverisë shqiptare, Diella, u përmend të martën nga ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, në Gjykatën e Posaçme. Nga kafazi i sallës së gjyqit, në seancën e radhës për “Sterilizimin”, ku akuzohet për “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” dhe “grup kriminal”, mes një batute Beqaj shprehu nevojën e inteligjencës artificiale për shkak të ruajtjes në CD të procesverbaleve të seancave në Gjykatën e Posaçme.
Situata u ngjall pas kërkesës së Beqajt për procesverbalin e plotë të seancës gjyqësore në të cilin SPAK i rikualifikoi akuzën. Nga ana e saj, gjykata i tha se procesverbali i plotë nënkupton CD-në me regjistrimin audio të seancës. Në këtë situatë avokati i ish-ministrit, nënvizoi faktin se klienti i tij nuk kishte mundësi teknike ku ta dëgjonte CD-në në paraburgim dhe as si të firmoste procesverbalin audio.
Në këtë moment ish-ministri tha “Do na duhet një Diella edhe këtu, mesa duket”.
Më tej ai i kërkoi avokatit t’i kërkojë gjykatës dërgimin e një kompjuteri në qeli, për të pasur mundësi për të dëgjuar CD-në. “Avokati duhet të marrë CD në kryesekretari kundrejt tarifës”, tha Beqaj, duke vijuar, pra “i bie që të blesh akuzën”.
Pas këtij momenti, për të dytën herë radhazi Gjykata e Posaçme shtyu seancën ndaj ish-ministrit të shëndetësisë, Ilir Beqaj, për t’i dhënë kohë avokatëve të tij mbrojtës të verifikojnë nëse i kanë marrë në dispozicion të gjithë fashikujt e dosjes, 600 në total, pjesën më të madhe të të cilëve e zotërojnë si material elektronik në CD. Seanca e radhës ndaj Beqajt u caktua më 30 tetor. (A2 Televizion)