Sa do të rriten pensionet nga 1 tetori?

Nga Marjo Brakaj
30 Shtator 2025, 15:08 | Ekonomi

Vetëm 475 lekë në qytet dhe 225 lekë në fshat... Kaq para më tepër do të marrin të moshuarit shqiptarë nga 1 tetori pas indeksimit të pensioneve me 2.5 për qind.. Të dhënat nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore tregojnë se nga 19 mijë e 39 lekë aktualisht, pensioni mestar urban rritet në 19 mijë e 514 lekë. Edhe më pak rriten pensionet në fshat... me vetëm 225 lekë. Nga 8 mijë e 966 lekë aktualisht, pensioni mestar rural bëhet 9 mijë e 191 lekë.

Të njëjtat sasi parash më shumë do të marrin edhe përfituesit e pensionit të invaliditetit. .. 475 lekë në qytet dhe 225 lekë në fshat. Kjo për shkak se edhe pagës e këtyre kategorive është gati e njëjtë me masën mesatare të pensionit urban dhe atij rural.

Nga indeksimi me 2.5 për qind përfitojnë edhe kategoritë e tjera përfituese siç janë pensionistët familjarë. Ata që jetojnë në qytet do të marrin 230 lekë. Nga 9 mijë e 161 lekë aktualisht, pensioni mesatar familjar urban bëhet 9 mijë e 391 lekë. Ndërsa nga 1 mijë e 771 lekë aktualisht, pensioni mesatar familjar rural bëhet 1 mijë e 815 lekë.

Në një vit ku inflacioni erdhi duke u zbehur, por çmimet mbetën lart, pensionistët shqiptarë vazhduan të ecin në një fije peri mes nevojave dhe realitetit të ashpër të tregut. Qeveria e argumenton vendimin për indeksimin e pensioneve me vetëm 2.5 për qind me ecurinë e inflacionit. Mirëpo edhe këtu llogaritë nuk përputhen. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se nga tetori 2024 deri në gusht 2025 , inflacioni mesatar te ushqimet dhe pijet rezulton në nivelin 2.76 për qind.

Në një vend ku ekonomia rritet, por përfitimet nuk shpërndahen njësoj, mosha e tretë endet ende në kërkim të dinjitetit që u takon. Nga 46 mijë e 400 lekë që i duhen një çifti pensionistësh për të kaluar muajin, këta të fundit kanë në dispozicion vetëm 32 mijë e 464 lekë. Diferencën që ju mungon prej gati 14 mijë lekësh këtyre të fundit duhet t’ua mbulojnë fëmijët ose të afërmit në emigrim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos