Banesa të legalizuar e fatura të paguara, qeveria do të financojë instalimin e sistemeve ngrohëse dhe ftohëse

Nga Marjo Brakaj
29 Nëntor 2024, 15:04 | Ekonomi

Familjet të cilat i kanë të paguara faturat e energjisë apo dhe të ujit por kanë dhe një shtëpi të legalizuar kanë të drejtë të përfitojnë nga vendimet e qeverisë për financimin e sistemeve të ngrohjes dhe ftohjes nëpër banesa, shkruan A2 CNN.

Një vendim i Këshillit të ministrave i publikuar së fundmi parashikon disa skema subvencionuese me fonde nga buxheti i shtetit. Mbështetja do të jetë për klientët fundorë që synojnë të zëvendësojnë teknologji ekzistuese që shfrytëzojnë burime fosile, sikurse janë karburantet.

“Mbështetja në investim do të mbulojë në çdo rast vetëm një pjesë të kostos së nevojshme për blerjen dhe instalimin e teknologjive që shfrytëzojnë burime të rinovueshme energjie, për realizimin e ngrohjes dhe ftohjes

VENDIM I KËSHILLIT TË MINISTRAVE

Referuar vendimit do të jenë katër skema që do të financohen nga shteti. Konkretisht përfitojnë familjet që do të aplikojnë për të instaluar sisteme diellore të ngrohjes së ujit do të marrin financim në masën 70% e vlerës së investimit, ose 140 mijë lekë. Për kaldajat me biomasë ose biokarburant, financimi do të jetë 20% e vlerës së investimit ose deri në 250 mijë lekë.

Familjet të cilat instalojnë pompat e nxehtësisë  me ajër, ujë apo gjeotermale, do të marrin financim 20% të vlerës ose deri në 600 mijë lekë, dhe skema e fundit ajo për ngrohjen dhe ftohjen qendrore në banesa shteti mbulon 30% të vlerës së investimit ose deri 3 milionë lekë.

Që një familje të përfitojnë duhet të ketë të përgatitur një listë dokumentesh duke nisur nga faturat e uji dhe dritave të paguara në 12 muajtë e fundit, dhe dokumentet identifikuese. Vërtetim të ardhurash për pjesëtarët e familjes por dhe për konsumatorët në nevojë, një vërtetim nga ministria përgjegjëse për punët sociale që abonenti bën pjesë në këtë kategori. Projekti dhe relacioni duhet të jetë përgatitur nga një inxhinier i licencuar.

Agjencia përgjegjëse për eficiencën e energjisë do të hapë aplikimet për regjistrimin e operatorëve ekonomikë që tregtojnë ose instalojnë teknologjitë e rinovueshme në ngrohje dhe ftohje dhe më pas klientët fundor do të shpallen fitues sipas 4 skemave. Ndërsa pajisjet e ofruara duhet t’i përkasin dy klasave më të larta të eficiencës së energjisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos